Mentor Haziri është bërë pjesë e “Top Awards” këtë javë me këngën e tij më të re, e titulluar “Sonte”. I ftuar në një intervistë për “Live From Tirana” në Top Albania Radio, ai ka folur më detajisht për këtë këngë, si dhe për projektet e tij të ardhshme.
Si lindi “Sonte” si ide?
Kënga lindi në studio me Gent Myftaraj. Lindi papritmas. Regjistro këtë e regjistro atë, pak akorde, ca nota në piano, kështu lindi kjo ide. Donim diçka pak më ndryshe se rryma reggateon. Duke u bazuar në këtë ide që të bënim diçka më elektronike, më ndryshe, lindi ideja e dy akordeve të kësaj kënge dhe nga ajo zhvilluam këngën. Erdhi diçka aty për aty. Dhe aty për aty e kam bërë tekstin. Ngjizi menjëherë.
Si do të funksionojë strategjia e marketingut për këtë këngë?
Mund të kesh një këngë të mirë, por pa marketingun e duhur ajo mund të vdesë. Por kënga e mirë depërton. Unë nuk i besoj shumë teorisë së parë. Arsyeja që jam në Tiranë është për të promovuar këtë këngë. Sot i kemi hapësirat e mediave sociale ku me pak lekë mund t’i sponsorizosh produktet e tua, si mënyra më organike për të zgjedhur qytetet. Mendoj se mënyra e mirë për të sponzorizosh produktin tënd janë mediat sociale.
Por cilat janë projektet e tij të ardhshme pas “Sonte”?
Së shpejti do të konkurroj zyrtarisht në festivalin e fundivitit në Radio Televizionin Shqiptar në garën për Eurovizion. Kam bërë një këngë e cila është e jashtëzakonshme, ndoshta është një ndër këngët më të mira që kam bërë që flet për pandeminë, shpresën, dashurinë, jetën, guximin dhe durimin se gjithçka do të kalojë dhe do të bëhet më mirë për të gjithë. Është një lloj falenderimi edhe për mjekët të cilët kanë kontribuar në frontin e parë me virusin dhe është një realizim shumë i bukur që do t’ju surprizojë për mirë.
Një nga planet më të reja është dhe kënga “A u bo gati dashnia” nga Armend Rexhepagiqi dhe Aida Baraku. Kur do të publikohet ajo?
Besoj që për dy javë do ta bëjmë gati edhe atë këngë, të cilën po e realizoj po ashtu në studio tek Genti dhe po del jashtëzakonisht bukur. Është mes baladës dhe rrymës së shpejtë.
Po albumi i ri kur publikohet?
Po unë po punoj me albumin tim. Një album që do të finalizojë një punë të këtij viti. Çdo artist duhet ta ketë pasaportën e tij që është albumi. Unë e kam një album me grupin ‘Kthjellu’ po është një album kolektiv dhe jo personal. Për albumin tim personal, për ta bërë për Kosovën dhe Shqipërinë unë i jam kthyer rrënjëve tona shqiptare. Muzikë e atij albumi dhe shumicën e atyre këngëve e kam shkruar vetë po bashkë edhe me producentin tim anglez. Do e realizojmë edhe me anëtarët e orkestrës simfonike të Radio Televizionit të Irlandës. Do të jetë po e njëjta energji. Do të ketë këngë të jashtëzakonshme ku disa nga ato janë edhe ripërpunime për shkak se duhet t’i ringjallim disa nga këngët tona të trashëgimisë që kemi. Nuk po i zbulojmë se cilat janë, por disa nga jugu dhe disa nga Shkodra. Një duet do të shkruhet nga Eriona Rushiti.
Kënga “Sonte” momentalisht renditet në vend të 23-të të klasifikimit në “The Top List”.