Një javë e ngarkuar dhe plot me projekte të reja muzikore ishte kjo në të cilën kemi hyrë. Deri më tani kjo është java me më shumë hyrje të reja për vitin 2023. Këtë herë kemi plot 12 projekte të reja që i shtohen klasifikimit të “The Top List”. Ja se për cilat projekte bëhet fjalë…

Kejsi Tola është padyshim një nga këngëtaret me zërin më të mirë dhe njihet për këngët e saj shumë të bukura të dashurisë. Megjithatë, këngëtarja nuk ka qenë edhe aq shumë aktive me projekte të reja muzikore, megjithatë së fundmi ka vendosur të na surprizojë. Kjo suprizë është pikërisht lançimi i një albumi të ri, titulluar “Luminous”, të cilin këngëtarja e kishte paralajmëruar më herët. Performancat e këngëve të publikuara nga koncerti i saj si: “All Night”, “One Night in Barcelona”, “Distaction” dhe “Do Me Like That” bëhen pjesë e listës për këtë javë.

Një tjetër bashkëpunim i suksesshëm vjen nga Dhurata Dora dhe Elvana Gjata, të cilat sjellin plot energji këngën “Rrotullo”. Erma Mici, nga ana tjetër, ka publikuar projektin e saj të ri në gjuhën angleze titulluar “Heartbreak Hotel”. Ronela Hajati, pas publikimit të “TQR”, ka vendosur të vijë me një tjetër projekt titulluar “Shtroje Me Lek”, duke shfaqur anën e saj më të fortë dhe më vibrante. Një tjetër artiste shqiptare, Njomza, bëhet pjesë e listës me projektin e saj “Emotional”, sjellë gjithashtu në gjuhën angleze.

Ledri Vula është rikthyer në origjinë me projektet e tij solo, duke repuar ashtu siç vetëm ai di. “1 Goat Për Ty” do të jetë pjesë e albumit të tij dhe fansat mezi po presin të dëgjojnë atë çfarë ka përgatitur artisti. Më tej, ELAI, një artist i ri në tregun shqiptar, por me hite të padiskutueshme sjell këngën “2003” këtë javë. Një tjetër bashkëpunim bëhet pjesë e “The Top List” dhe është pikërisht ai midis Butës dhe Ago titulluar “Terapi”.

Top Albania Radio dhe Dj Benito kanë vendosur të realizojë versionin remix të këngës “Me Ty” nga Luiz Ejlli, të cilën ai e realizoi atë në kohë rekord brenda Dhomës së Rrëfimit së shtëpisë së “BBV” për partneren e tij Kiara Tito. Ky version remix na sjell më pranë sezonit veror dhe me ritmet e tij energjike na përgatit për fillimin e sezonit veror .

Duket se surprizat nuk do të kenë të ndalur edhe në javët në vazhdim. Këtë nuk e themi më kot, por sepse një pjesë e mirë e artistëve janë duke finalizuar projektet e verës.