Klajdi Haruni vjen këtë javë me dy projekte të reja si pjesë e “The Top List”. Ai ka ripublikuar dy projekte të tij, të realizuara në vitin 2018, në kanalin e tij zyrtar në YouTube.

Tek njëri prej tyre këngëtari vjen solo dhe kënga titullohet “Vajzat e babit”. Ndërsa tjetri, vjen në bashkëpunim me Brunon dhe mban titullin “Mbase”.

Në fakt këto nuk janë projektet e vetme që Klajdi Haruni ka vendosur të ripublikojë. Vetëm dy javë parë, ai vendosi që të risillte në YouTube plot 9 projekte të vjetra të tij.

Mbase artisti është bërë nostalgjik për këto këngë dhe ka dashur t’i rikthejë dhe njëherë në vëmendjen e publikut. Megjithatë, nga 9 këngë, publiku ka zgjedhur pikërisht “Mbase” dhe “Vajzat e babit” për t’i futur në klasifikimin e “The Top List” me anë të votave të tyre.

Bashkëpunimi i Klajdit me Brunon, “Mbase”, renditet më lart për këtë javë, më saktësisht në vend të tetë. Nga ana tjetër, “Vajzat e babit” pozicionohet në vend të 21-të.