I ftuar në emisionin “Lancio” nëpërmjet një lidhjeje telefonike ka qenë këngëtari i njohur Sardi Strugaj. Ai ka zbuluar më shumë detaje jo vetëm nga eksperienca më e re në spektaklin e kërcimit “Dancing With The Stars” por edhe nga muzika dhe karriera e tij e suksesshme.
Artisti i njohur ka treguar më shumë rreth projektit të tij më të ri që ka sjellë në bashkëpunim me Marsela Çibukajn.
Fillimisht bashkëpunimi me Marselën ka ardhur shumë natyrshëm dhe si rezultat i një pune në fakt të gjatë rreth 1-vjeçare. Një artiste shumë e mirë që unë e kam vlerësuar gjithmonë dhe jam shumë i lumtur që u bë pjesë e bashkëpunimit duke i dhënë një ngjyrë shumë të bukur këngës. Pjesa tjetër pastaj, realizimi dhe çdo gjë ka shkuar shumë mirë dhe ka shkuar fiks në pritshmëritë e mia. Kam pasur pritshmëri që kjo këngë do ecë dhe do pëlqehet dhe kështu ka dalë. Më vjen vërtet mirë për këtë.
A kishte vetë Sardi një ide në lidhje me realizimin e të gjithë videoklipit?
Përgjithësisht së bashku me grupin e punës, me studion ku unë bëj pjesë por edhe me kompaninë filmike që punoj prej kohësh kemi mbajtur këtë lloj mesazhi dhe “strategjie” që të mbajmë video që t’i shkojnë muzikës që unë bëj dhe të jenë video të thjeshta, të kapshme dhe nostalgjike, të mos ketë shumë elementë që ne shohim çdo ditë.
Një deklaratë që mori mjaft vëmendje ishte një InstaStory nga ana e artistit ku bënte një thirrje publike për mbështetje nga publiku. Çfarë i mungon publikut shqiptar për artistët të cilët nuk bënë shumë zhurmë vetes dhe nuk janë le të themi gangsterë që i këndojnë vetëm armëve, të fortëve dhe lekut të shpejtë?
Me thënë të drejtën jam nisur nga disa histori që kam dëgjuar dhe që vazhdoj të dëgjoj nga kolegë të mi, artistë shumë të mirë që kanë lënë ose duan të lënë muzikën dhe për t’ju drejtuar një jete më të mirë jashtë kufijëve. Kjo do të thotë që shpresa ju ka vdekur, që mund t’ia dalin me sukses dhe me muzikë të mirë.
Cila mendon që është pika e fortë e tij në lidhje me këtë?
Unë nuk mendoj që ia kam dalë akoma. Jam në luftë me veten që të përmirësohem çdo ditë dhe të sjell gjëra të reja, të mos bëhem i përsëritur. Të sjell edhe zhanre dhe variabla të ndryshëm.
Sardi gjithashtu ka zbuluar në Top Albania Radio se ka disa projekte me të cilat po merret dhe që janë në zhvillim, për të cilat ai theksoi se po punon fuqishëm që gjatë 2024 t’i realizojë me sukses.
Çfarë do të thotë “Dancing With The Stars” për Sardin? Çfarë mendon artisti se po i jep ai spektakël? Vëmendje, peshë si emër në art, po mëson hapat në kërcim?
Të gjitha, po tregoj një pjesë timen që publiku mbase nuk e ka parë. Po tregoj edhe pjesë të përditshmërisë, siç shihen tek përmbledhjet ditore. Anën e humorit nuk mund ta them sepse nuk e quaj veten ndonjë humorist por këtë anën e dashur. Unë nuk jam person që i dua shumë këto debatet apo inatet, intrigat. Mundohem ta kthej më shumë me pozitivitet çdo situatë dhe pak ngacmuese që mund të jetë.
Po nëse do ta “ngacmonin”?
Besoj se deri tani kam pasur ngacmime, heqim javën e dytë me debatin me Lorin që u preka sepse nuk mu duk e drejtë por pjesa tjetër besoj se e kam menaxhuar mirë. Edhe atë nuk them se e kam menaxhuar keq po…(qesh)
Cili është çifti i preferuar për Sardin në “Dancing With The Stars”?
Unë shumicën i kam miq shumë të mirë dhe i dua shumë fort. Sidomos gjatë kësaj eksperience jemi bashkuar dhe jemi afruar goxha. Për mua kjo eksperiencë ka qenë e bukur edhe në këtë aspekt. Po përmend vetëm një çift që më ka suprizuar vërtet dhe që realisht jam shumë i lumtur për to, vetëm ata po përmend po i dua të gjithë të tjerët. Arnita dhe Eni më kanë surprizuar vërtet sepse Arnitën e njoh dhe më parë dhe nuk e prisja që të ishte kaq kërcimtare e mirë. Elegante, shumë vajzë e bukur edhe me sjelljen gjithashtu. Më vjen mirë që po e tregon edhe para publikut talentin.
Sa i përket atyre që sheh si konkurrentë të fortë ai u përgjigj duke thënë:
Mendoj që janë disa çifte që po lundrojnë në të njëjtat ujëra. Është edhe Enxhi me Silvesterin që janë shumë çift konkurrues. Atalanta me Luixhinon. Roerdi që e ka përmirësuar shumë veten nga fillimi dhe deri tani. Iregni dhe Joana po ashtu, nuk e kam pritur që Irgeni të ishte aq mirë.
Po Ronaldo?
Ronaldo mendoj që është shumë i përfshirë, nuk e di tani për kërcimin sepse nuk mund ta vlerësoj unë vetë kur e shoh më kënaq sepse është shumë pozitiv.
Kur Albana e pyeti se çfarë note do ti vendoste vetes së tij ai u shpreh:
Notën 8 deri më tani dhe nuk e parashikoj dot se deri ku mund të arrij sepse ka surpriza rrugës. Janë disa kërcime që na ngjiten më shumë dhe disa më pak, por e mira është që nga java në javë po përmirësohem.