“Gentle” është një nga hyrjet më të reja të klasifikimit të “Top Awards” këtë javë. Përveçse është një publikim i ri muzikor, kemi të bëjmë gjithashtu edhe me një artist të ri në tregun muzikor shqiptar. Sugjerimet e publikut kanë bërë që kjo këngë të bëhet pjesë e klasifikimit të “Top Awards”, duke u renditur në vendin e 12-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm për një hyrje të re dhe një artist të ri.
Kush është Yon Idy?
Yon Idy është një kantautor nga Shkupi. Emri i tij i vërtetë është Jon Ajdini, por duke qënë se këndon në gjuhën angleze, ai ka vendosur që emrin ta shkruajë si Yon, që të huajt të mos e lexojnë si Xhon por si Jon, ndërsa mbiemrin e ka thjeshtëzuar në Idy, që lexohet Ajdi, pa “ni” në fund.
I kontaktuar në “Top Awards”, Jon është shprehur se gjatë gjithë jetës së tij ka qënë i rrethuar me muzikë pasi babai i tij është pronar i një stacioni radioje në Shkup, ku punon edhe nëna e tij.
Jon ka nisur të merret me muzikë relativisht vonë, ekzaktësisht në moshën 16-vjeçare, kur vendos të marrë kitarën e shtëpisë dhe me ndihmën e internetit mëson të luajë me të.
Brenda një periudhe të shkurtër, ai e kupton se dëshiron të krijojë këngët e tij, të kompozojë dhe të shkruajë tekste. Pa i mësuar mirë të gjithë akordet, ai mundohej të krijonte ndonjë gjë origjinale, ndonjë melodi të vetën. Muzika iu bë pasion dhe e kuptoi se ajo do të jetë gjëja kryesore me të cilën do të merret në jetë.
Ndërkohë që ka bërë debutimin e tij të parë muzikor, Yon premton një produktivitet muzikor në dy-tre muajt në vazhdim, pasi pritet të publikojë disa këngë të reja.