Teksa kreu i klasifikimit të “The Top List” nuk ka ndryshuar as këtë javë, nuk ka pasur shumë ndryshime as për sa i përket renditjes në Top 5. I vetmi ndryshim është një hyrje e re në këtë grup.

Bëhet fjalë pikërisht për “Copë copë”, bashkëpunimin mes Bardhit dhe Ledri Vulas. Duket se dyshja ka qëlluar në shenjë me këtë projekt të tyrin dhe rezultoi si më i preferuari i publikut në krahasim me projektet e tjera që Bardhi ka publikuar së fundmi, pjesë e albumit të tij të ri.

Artistët thyen çdo pritshmëri edhe pse askush nuk e priste një bashkëpunim të tyrin më parë. “Copë copë” është prej 3 javësh si pjesë e klasifikimit dhe ka pësuar një ngritje të madhe këtë javë. Ky projekt i dyshes është rritur me plot 28 vende nga java e kaluar duke u renditur kështu në vend të 5-të për këtë javë.

Sa i përket pozicioneve të tjera në Top 5, vendi i dytë ka shkuar për “Flakë” nga Capital T dhe Elvana Gjata, 1 vend më lart nga java e kaluar, vendi i tretë ka shkuar për “Gjuj për to” nga Don Xhoni dhe Loredana, ndërse vendi i 4-të ka shkuar për “Malli” nga Gesko.