Me Hekuran Belulin jemi njohur në edicionin e 6-të të “The Voice”, i cili u vlerësua për zërin e tij të veçantë. Për 18-vjeçarin, pjesëmarrja në këtë “talent-show” i ka dhënë atij sigurinë për të vazhduar për t’u marrë seriozisht me muzikë dhe vetëm disa muaj më parë, Hekurani ka publikuar minialbumin me titull “Blue”.
“Uphill” është kënga që e ka bërë Hekuranin pjesë të klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të “The Top List”, e cila për këtë javë mban vendin e 73-të. Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Hekurani ka zbuluar më shumë për ndryshimin që “The Voice” ka sjellë tek ai sa i përket jetës artistike. Ai gjithashtu ka folur për minialbumin e tij si edhe për planet në të ardhmen.
Top Awards: Sa ka ndryshuar jeta artistike e Hekuranit që nga pjesëmarrja e tij në “The Voice Albania”?
Hekuran Beluli: Unë ndihem shumë me fat që kam qënë pjesë e “The Voice” sepse si muzikant i ri, vazhdimisht ndjej nevojë për një platformë për muzikën time. “The Voice” ma ka ofruar këtë gjë pa kushte. Pas punës me stafin e “The Voice”, unë kam marrë sigurinë që t’i regjistroj krijimet e mia dhe të filloj karrierën time si “recording artist”. Përmes kësaj eksperience unë kam arritur të kuptoj saktësisht se si dua ta prezantoj veten para publikut dhe më është qartësuar vizioni im për muzikën time.
Top Awards: Si lindi ideja për “Uphill” dhe për çfarë flet kënga?
Hekuran: “Uphill”, në kuptimin e plotë të fjalës, e kam shkruar në një kodër afër shkollës time. Kënga flet për të ndjehurit i humbur, për nevojën që dikush të të gjejë.
Top Awards: Kush është kujdesur për muzikën dhe tekstin?
Hekuran: Muzikën dhe tekstin e “Uphill” i kam bërë unë.
Top Awards: Ke menduar ta sjellësh të shoqëruar me një videoklip këtë këngë?
Hekuran: Deri më sot nuk e kam menduar por do ishte shumë bukur që kjo këngë ta ketë videoklipin e vetë. Më pëlqen se sa shumë shkojnë bashkë muzika me artin vizual dhe me një videoklip do arrija të shpalosja krejtësisht konceptin e këngës.
Top Awards: Pse zgjodhe të vije me një tekst në gjuhën angleze?
Hekuran: Unë shumicën e këngëve i shkruaj në gjuhën angleze, kjo sepse më vjen natyrshëm, jo për diçka tjetër. “Uphill” fillimisht e kam shkruar në anglisht dhe kur e regjistrova në studio, doja që të ishte ashtu origjinale. Sidoqoftë, unë mezi po pres të publikoj këngë edhe në gjuhën shqipe, të cilat janë edhe më sfiduese për mua.
Top Awards: Edhe pse ka kohë që ka dalë në treg, kënga jote është futur këtë javë në “The Top List”, si ndihesh për këtë?
Hekuran: Kur e pash këngën time në “The Top List” u habita jashtë mase sepse unë me vetëdije i kam publikuar këngët në gjuhën angleze, duke e ditur se mundësitë që ato të dëgjohen në industrinë muzikore shqiptare janë shumë të vogla. Fakti që gati një vit më vonë këngët e mia po marrin vëmendje, më motivon më shumë sesa mendoni ju. Po ndihem shumë me fat!
Top Awards: Kemi vënë re që keni marrë një mbështetje nga Alban Ramosaj për promovimin e këngës, çfarë të lidh me të?
Hekuran: Alban Ramosaj në fakt më ka mbështetur që nga “The Voice”, në mos edhe më herët. Eshtë shumë mirë fakti që ai është një artist kaq i suksesshëm por njëkohësisht mbetet një njeri modest e i thjeshtë, aq sa edhe e shfrytëzon platformën e tij për të më promovuar dhe mbështetur mua. Jo çdokush bën gjëra të tilla për të tjerët, prandaj unë i jam shumë mirënjohës!
Top Awards: Ju keni publikuar një minialbum, sa këngë përmban ai dhe është i gjithë në gjuhën angleze?
Hekuran: Minialbumi (EP) im i parë titullohet “Blue” dhe përmban 6 këngë të cilat janë në gjuhën angleze.
Top Awards: Ke menduar të publikosh së shpejti ndonjë projekt të ri muzikor?
Hekuran: Po mundohem që së shpejti ta publikoj një “remix” të një prej këngëve të mia. Përveç kësaj, pas 3 ose 4 muajsh do publikoj këngën time të parë në gjuhën shqipe.