Elvana Gjata sapo na rikujtoi edhe njëherë se është një ndër artistet më të jashtëzakonshme të tregut tonë muzikor. Këngëtarja ka publikuar së fundmi projektin e saj më të ri që e dëshmon sërish këtë.
“Grada” është kënga e saj që ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”. Ky projekt muzikor ka marrë menjëherë vëmendjen e publikut, duke u shndërruar në një hit të padiskutueshëm.
Teksti i këngës përçon një mesazh të fuqishëm për vetëbesimin, suksesin dhe qëndrueshmërinë përballë sfidave. Ndërkohë, videoklipi që shoqëron këngën është realizuar me një stil modern, me skena dinamike dhe efekte vizuale mbresëlënëse, të cilat e plotësojnë në mënyrë perfekte atmosferën e këngës.
Elvana paralajmëroi projektin “Grada” në ditën e saj të lindjes me një një mesazh për fansat e saj, një vështrim mbrapa në atë që ajo ka kaluar, çdo moment, çdo sfidë, çdo mësim që ka formuar të gjithë atë që ajo është.
Siç dhe ajo thotë, “Grada”, është për të një arsye për të festuar qëndresën që gjejmë edhe në momentet më të errëta dhe pavarësisht se çfarë na hedh jeta, ne ngrihemi, mësojmë, bëhemi më të fortë.