E ftuar sot në “Pardon My French” nëpërmjet një lidhje në Skype ka qenë artistja e njohur, Bleona Qereti. Ajo ka zbuluar më shumë detaje ekskluzive në Top Albania Radio nga projektet e reja në muzikë që ka sjellë dhe do të sjellë, angazhimit të saj në botën e kinematografisë dhe qëllimet që i ka vendosur vetes sa i përket jetës personale.

Bleona ka treguar me detaje edhe se si ka ardhur kjo iniciativë për të pas gjithë këtyre viteve karrierë mjaft të suksesshme në fushën e muzikës.

Iniciativa ka ardhur si pasojë e zhvillimit tim si artiste nuk kam ndërmend të krahasohem me Taylor Swift, Ariana Grande, Dua Lipa apo Rita Ora. Unë për Amerikën do të jem gjithmonë një artiste internacionale që është e famshme diku tjetër dhe për momentin ka një këngë apo një film hit në Amerikë. Kjo ka ardhur si pasojë e albumit tim në anglisht të cilin unë po e realizoj me Timberland. 

Këngëtarja iu ka bërë një thirrje të gjithë artistëve shqiptarë që të bashkohen së bashku me një qëllim të vetëm, globalizimin e muzikës shqiptare në botë.

Ka ardhur koha që ne të jemi të gjithë të vërtetë. Duke qenë se po flasim për globalizmin e muzikës dhe artit shqiptar në botë nuk dua të jem unë artistja e vetme që ta bëj këtë punë.

Mendoj që bashkimi bën fuqinë, të gjithë kolegët e mi tek unë e kanë derën hapur, kanë një ftesë të hapur nga unë nëse duan të jenë pjesë në ‘create music group’ për të shpërndarë muzikën e tyre do të ishte kënaqësia më e madhe e imja që ne të vinim si një grup artistësh shqiptarë dhe me të vërtetë të bëjmë globalizimin e muzikës tonë në botë. 

Para pak ditësh Bleona ka risjellë me origjinalitetin e saj një nga hitet që shqiptarët e duan shumë, e kemi fjalën për “Stani”-n e Tefta Tashko Koços. Pse ajo zgjodhi pikërisht këtë këngë?

“Bisha never left” është hashtag-u që ne kemi menduar që i rri tamam kësaj kënge për të vetmin fakt sepse unë personalisht dua që gjithmonë të shfaq versionin tim më të mirë, qoftë si artiste, si njeri, si shoqe, si e dashur dhe si çdo qënie tjetër njerëzore. 

Bleona theksoi gjithashtu se:

Nuk bëhet fjalë për një rikthim por për ‘the elixir of the elixir’ të versionit tënd më të mirë. Pra një ‘reinvention’ i emrit Bleona dhe i artistes Bleona. Unë kam punuar vërtet shumë me veten time si artiste dhe si njeri. Nuk ka lidhje me njerëzit që vdesin dhe pastaj rikthehen. 

Duke u rikthyer edhe njëherë tek kënga, artistja tregoi edhe arsyen se pse ka zgjedhur këtë këngë si fillim.

Kam vendosur të tentoj globalizimin e muzikës shqiptare në botë. “Burri nga stani” titulli origjinal i këngës është një nga perlat e trashëgimisë kulturore shqiptare. Nuk mund ta nisja me një nga këngët e mia por pikërisht me një këngë që është etaloni i tashëgimisë sonë shqiptare në botë. Të shikojmë ku do të shkojë me versionin modern që e kam sjellë unë. Unë mendoj që brezi i ri sot është globalizuar. Nuk shoh asnjë arsye që muzika shqiptare të mos transmetohet në të gjithë radiot e botës dhe clubet e botës.

E pyetur nga Lei Kraja në lidhje me idenë e videoklipit Bleona shpjegoi gjithçka:

Ideja si gjithmonë është e imja dhe sigurisht që do t’i gjej edhe njerëzit e duhur të skuadrës të cilët janë në të njëjtën valë truri me mua. Është një këngë që flet për burrin nga stani, një çift të sapomartuar. Një këngë që është sjellë në shumë verisone nga shumë artistë për të cilët kam shumë respekt në Shqipëri. 

Duhet të sillja patjetër diçka ndryshe në versionin e Bleonës. Mendova që Amazona ishte mënyra më e mirë për ta sjellë këtë këngë sepse Amazonat vetëfunksionojnë pa meshkujt. Doja të sillja ndryshimin midis femrës që ka nevojë për burrin dhe një gruaje të kohëve moderne e cila nuk ka nevojë më për një mashkull. Unë besoj tek femra shqiptare që i ka bërë gjërat vetë dhe jam shumë krenare pa marrë parasysh që është me shumë sakrificë. Mendoj që kjo është mënyra më e saktë për të sjellë “Stani”-n dhe Amazona të ishte pikërisht personifikimi i kësaj historie.

Më pas artistja vijoi duke thënë se:

Video fillon me një vajzë që ka një bukuri mistike por ka një magji të vetën brenda saj dhe në momentin që ajo hy në një shtëpi me një tigër shikon një djalë i cili po vjen me motor edhe i bën magji dhe i prishet motori. Djalit që i prishet motori vjen i ‘mistikuar’ nga bukuria e këtij personi, vjen për të kërkuar veglat e motorit por në të njëjtën kohë edhe për të kërkuar më shumë se çfarë është ky person. Aty gjen Bleonën, e cila është duke ushqyer tigrin e parë me mish.

Duke qenë se në këngën e saj “Stani” shprehet që nuk ka burrë, a është e vërtetë kjo?! Ja si u përgjigj Bleona:

Tani, është shumë e vërtetë dhe ajo që unë solla me “Stani”-n është pikërisht kjo. Një ironizim i të gjithë gjësë sepse kjo “Nuk kam burrë” quhet si ‘handicap’ dhe nuk është. Tek “Stani” prandaj edhe e kam bërë atë ‘Ups, harrova që nuk kam burrë’ sepse doja të ironizoja të gjitha komentet që e kanë shtyrë këtë. Prandaj e kam futur në këngën e “Stani”-t por unë ju garantoj këtë: Burrë nuk kam po një tigër e kam. (qesh)

Ndër të tjera Bleona ka zbuluar edhe arsyen se pse këngët e saj nuk janë më në kanalin e YouTube.

Është fillimi i një dekade shumë të gjatë, doja ta hapja me këtë këngë duke qenë që është perlë e jona. Do të vazhdoj më pas me të gjitha këngët e katalogut tim në shqip, kjo është edhe arsyeja se pse nuk i gjeni edhe këngët e mia në YouTube dhe në rrjetet sociale. Këto do të ndërthuren me këngë në anglisht dhe me perla të tjera të trashëgimisë kulturore shqiptare. 

Këngët ikonike do të rikthehen në standardin që unë kam sot si artiste dhe në standardin që ka bota sot dhe me të cilin ajo funksionon. Unë mendoj që gabimi që bëjnë shumë artistë është që ata bëjnë të njëjtën gjë që kanë bërë në ’90 dhe presin që të kenë sukses në 2024. Ti nuk ha, nuk mendon, nuk vishesh në të njëjtën mënyrë si në vitet ’90. Atëherë pse duhet të sjellësh një muzikë me të cilën ti ke pasur sukses në ’90 dhe të presësh që njerëzit ta duan dhe ta përqafojnë njësoj si në ’90. 

Gjithashtu shtoi se:

Ajo që unë doja të bëja është që këngët ikonike të mijat që kanë qenë shumë të mira në atë kohë dhe që jam shumë krenare për karrierën time dhe barrierat që unë kam thyer në kufinjtë që kishte muzika shqiptare e asaj kohe dua që sot të jem prapë në të njëtin hap me kohën që ti sjell në mënyrën më të mirë të mundshme të personit që unë jam sot.