Gjesti sapo ka publikuar këngën e tij më të re dhe vjen kështu në klasifikimin e javës të “The Top List”. “Veshu Ndrequ”, kështu titullohet kënga, refreni i së cilës na ka shoqëruar tashmë prej ditësh kudo në rrjete sociale.
Ende pa u publikuar, kënga u bë hit. Mjaftoi një video e Gjestit duke interpretuar vetëm refrenin, dhe më pas dëgjohej në çdo postim në rrjete sociale.
Ngjyrat, lëvizjet karakteristike të Gjestit, tërheqin vëmendjen në klipin e sapopublikuar. Kënga jo vetëm që hyri në klasifikimin e javës, por arriti të rrëmbente menjëherë edhe kreun.
Vendi i parë javën e kaluar shkoi për Egli Takon me këngën “Jetë”, e cila po ashtu erdhi me projektin e parë që pas daljes nga BBV, njësoj si Gjesti. Kënga “Veshu ndrequ” pritet të jetë një nga kolonat zanore të kësaj were dhe pa dyshim do të dëgjohet kudo.