Ghetto Geasy ka lançuar albumin e shumëpritur “5 Kurora” me plot 15 këngë, bashkëpunime dhe projekte solo. Tre prej këtyre këngëve janë futur në klasifikimin e javës në “The Top List”.
Bëhet fjalë për “Al Harami”, si dhe dy bashkëpunime, “Edhe 1 Natë” me Majk dhe “Xhelozia” me Arilena Arën. Ja si pozicionohen ato momentalisht…
Në “Al Harami”, Ghetto Geasy kthehet me një ritëm që të kap menjëherë veshin, ndërthurur me një tekst që luan mes ironisë dhe vetëbesimit të lartë. Stili i tij karakteristik, me një beat urban dhe orientalist, krijon një atmosferë që ngjan me një rrëfim. “Al Harami” pozicionohet në vend të 37-të.
Bashkëpunimi i Ghetto Geasy me Majk në “Edhe 1 Natë” është një thirrje për të ndalur kohën, për të zgjatur momentin e fundit me dikë që ende të djeg në shpirt. Dy artistët ndërveprojnë në mënyrë perfekte, me zëra që plotësojnë njëri-tjetrin dhe një refren që ngulitet në mendje. “Edhe 1 Natë” renditet në vend të gjashtë.
“Xhelozia” vjen si një përplasje emocionesh mes Ghetto Geasy dhe Arilena Arës, ku ritmi sensual bashkëjeton me tensionin që sjell pasiguria në një marrëdhënie. Zëri i ëmbël dhe dramatik i Arilenës përballë stilit të prerë të Ghetto Geasy e bën këtë këngë një duel emocional të vërtetë. “Xhelozi” zë vendin e 100-të aktualisht.