I ftuar në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio nëpërmjet një lidhje telefonike ka qenë artisti i njohur G-Bani. Ai së fundmi ka sjellë një bashkëpunim me këngëtaren Anxhela Peristeri, rikrijimin e hitit të tij të vitit 2006 me Crazy Girl, që mban titullin “Të dua”.

Si ndihet G-Bani në këtë rikthim të tijin me bashkëpunimin me Anxhelën?

Po filloj duke thënë që ndihem kaq bukur që flas me Top Albania Radio-n në 2023 sepse është shtëpia ime e parë muzikore që kam pasur në Shqipëri që ka transmetuar këngët e mija, ndjesia është e papërshkrueshme. E dyta, ndihem shumë bukur për arsye se dhe kënga megjithëse është remake është këngë e bukur dhe që nuk përcjell mesazhe agresive apo mesazhe që nuk duhen përcjellë. Është një këngë që ia vlente të ribëhej dhe është bërë me një artiste të cilën unë e dua shumë. 

Është ai kompletimi i elementit mashkullor me elementin femëror. Anxhela plotësoi elementin femëror gjithçka me zërin dhe me prezencën. Sigurisht që kur do të bësh një rikthim në treg, unë këngë ‘rap’ të egra bëj por ideja është që të futesh në treg duhet këngë komerciale në bashkëpunim me artiste femra kështu që Anxhela e ka këtë veti edhe e plotësoi. Që të jem i sinqertë kam preferuar të mos t’ia “ul kokën” këtyre artistëve që kanë dalë mbrapa meje por dhe të atyre që nuk kanë respektin e duhur. Kështu që e vlerësoj kur artisti me të cili do bashkëpunoj më sillet me respekt, e vlerësoj shumë dhe i shikoj shumë këto detajet e vogla. Besoj është e rendësishme. 

Ishte ideja e Anxhelës apo e G-Banit për të rikthyer këtë hit?

Të dyve. Ne nuk është se jemi të panjohur me njëri-tjetrin, jemi takuar edhe herë të tjera dhe ka ekzistuar si ide dhe e kemi hedhur në tavolinë. Erdhi momenti dhe e realizuam. 

Duke qenë që kënga në kaq pak kohë që është publikuar ka arritur mbi 1 milion klikime si ndihet G-Bani?

Është ndjesi e bukur por nuk është falë meje është falë Anxhelës sepse përveçse ka një ‘fan page’ që e duan shumë, e respektojnë shumë gjithë këto vite që unë nuk kam qenë prezent ajo nuk ka reshtur së punuari dhe duke iu ofruar simpatizantëve të saj dhe audiencës muzikore këngë dhe materiale. Besoj se është merita e saj dhe shumë pak e imja. Ndihem shumë bukur që jam pjesë e projektit që të jem i sinqertë. 

Kënga ka qenë e bukur për arsye se nuk kam ngurruar dhe pse e kam filluar karrierën time duke bërë ‘rap’ ‘gangsta rap’ pak më të egër se ajo kënga e dashurisë që këmi bërë. Pavarësisht këtij fakti unë tek kjo këngë nuk kam ngurruar që të ekspozoj Arbanin, domethënë veten time të gjithë ato emocionet që meshkujt në përgjithësi sidomos në shoqërinë shqiptare kanë turp edhe frikë sepse ekziston kjo tallja nga meshkujt e tjerë, këto idiotizmat. Unë nuk kam ngurruar ta tregoj emicionin tim aty dhe besoj që kjo ka ‘feed back’ të mirë. 

Në mediat online ka qarkulluar së fundmi se Crazy Girl nuk e ka pritur mirë këtë rikthim të këngës që kanë pasur bashkë por a është e vërtetë kjo sipas G-Banit?

Kam shumë dëshirë të përgjigjem, por nuk dua t’i jap më shumë rëndësi kësaj teme sepse duket sikur është më shumë se ç’është. Nuk është se kam marrë ‘feed back’ pozitiv nga ajo, kërkoj ndjesë por do mjaftohem më këtë përgjigje. Nuk është se kam marrë përgjigje pozitive. 

Përveç muzikës sigurisht që artisti zbuloi edhe detaje të tjera në lidhje me një format që theu rekorde në shikueshmëri në vendin tonë, “Big Brother VIP”. Tani që BBV mbaroi a vazhdon G-Bani të jetë mbështetës i Luizit dhe a do të sjellin ata një bashkëpunim?

Unë jam mbështetës i Luizit për disa aryse, por kjo nuk do të thotë se nuk ka pasur Big Brother personazhe të tjerë që unë i dua shumë dhe që më kanë pëlqyer. Ka qenë Olta Gixhari, Nita, Kiara Tito dhe kam shumë respekt për dy opinionistët sidomos për Arbrin. Nuk i përkas asaj kategorie të mbështetësve të Luizit të cilët janë fanatik. Unë kam shumë respekt për lojën e Oltës dhe për mbështetjen që i ka bërë gjinisë femërore por dhe Kiara Tito me mënyrën se si ka reaguar në fillim. 

Nëse do t’i  vinte një ftesë për të qenë banor i BBV a do të pranonte artisti?

Nuk besoj. Nuk është për mua, BBV është nder shumë i madh, një format i tillë në një media të tillë si Top Media. Nuk është për mua sepse nuk jam unë i denjë për atë tryezë, kam detyrime dhe angazhime të tjera. Nuk besoj se jam njeriu i duhur për ate emision. Tani në këtë moment Luizi e ka ngritur nivelin shumë të lartë përsa i përket angazhimit të lojtarëve sepse aty u thoshte disa herë që shiko se nuk kemi ardhur të flemë gjumë dhe të hamë bukë por duhet t’i ofrojmë publikut lojë. Nuk besoj që jam ai që do ti ofrojë publikut lojë sepse nuk jam karakteri i atillë. Më pëlqen shumë ta shikoj, e kemi ndjekur të gjithë.