Fifi i kthehet ndjenjave të thella, ashtu siç vetëm ajo di. Artistja ka publikuar albumin e saj të ri me titullin “Jehonë”, që përmban pesë këngë plot emocione dhe ndjenja.

“Të dua” mban titullin një nga këngët e kësaj EP-je dhe që hyn në klasifikimin e kësaj jave në “The Top List”. Fifi shkëlqen në rrëfimin e ndjenjave të thella dhe “Të Dua” është një nga ato këngë që e vulosin këtë talent.

Me një tekst të drejtpërdrejtë, emocional dhe plot shpirt, ajo flet për dashurinë e vërtetë, atë që nuk të duhet ta fshehësh apo ta shpjegosh. Melodia është e butë, por e mbushur me fuqi dhe pasion, ndërsa interpretimi i Fifit është prekës e i pastër.

Me zërin e saj të ngrohtë dhe shpirtin që gjithmonë ia jep çdo fjale, Fifi e kthen këtë këngë në një rrëfim të sinqertë, të thjeshtë, por jashtëzakonisht të fortë. Në çdo varg ndihen ndjenja të vërteta, dhimbje, mall dhe një dashuri që nuk ka nevojë për fjalë të mëdha për t’u kuptuar.

“Të Dua” është një rrëfim i hapur i zemrës, një deklaratë dashurie që frymon në çdo varg. Një këngë që prek ata që kanë dashuruar fort.