I ftuar në emisionin “Pardon My French” ka qenë artisti i njohur, Don Phenom. Në këtë intervistë ekskluzive ai ka ndarë detaje nga jeta e tij, karriera ndër vite dhe projektet që pritet të realizojë shumë shpejt.

Jam munduar që të sjell sa më shumë këngë të reja, kemi regjistuar diku tek 10-12 këngë. Të paktën një herë ose dy herë në muaj jam munduar që të sjell nga një këngë të re. Kam edhe disa të tjera që jam duke i punuar, pak a shumë e kam mbaruar albumin. Këto këngë që kam bërë janë pjesë të albumit, pavarësisht se u bë gati 4-5 muaj që jam duke i publikuar një nga një. Albumi mendoj që do të dalë shumë shpejt meqë erdhën tashmë dhe shumica e këngëve. 

Diku 10-12 këngë, një album i plotë. 

Para pak ditësh Don Phenom ka publikuar “Rrugës i Trishtuar” një rikrijim i këngës së Eli Farës “Sonata” por në mënyrën më të veçantë artistike. Kur u pyet nga Jonida në lidhje me këtë projekt ai u shpreh se:

Është mirë kur një artist e sfidon veten me art dhe me tema të ndryshme. Kjo është një këngë klasike dhe një element komplet ndryshe. Falenderoj Apollo-n që ka sjellë muzikën dhe ideja më ka pëlqyer shumë. 

Çfarë i pëlqeu më shumë nga krijimi i Eli Farës që në moment ai tha se do t’ia ‘rrëmbente’?

 Është legjendë, nuk kam çfarë të them. Unë desha ta sfidoja veten me një temë pak më serioze. Jam munduar gjithmonë të sjell elemente të reja.  

Kur dëgjon tekstin kupton se në rreshta mund të jetë dhe diçka personale, kur u pyet në lidhje me frymëzimin për këtë këngë Don Phenom u shpreh:

Të them të drejtën kur mendon se nga ka ardhur inspirimi për këngën është pak qesharake sepse tani edhe mosha bën të vetën. Në fëmijërinë time ka qenë një film turk shumë i famshëm “Shamikuqja”. Jam inspiruar nga ai film e kam parë tani vonë dhe doja ta zbukuroja pak me disa gjëra moderne, jo personale. 

Ai shtoi se:

Doja të sillja një element tjetër sepse zakonisht ose më njohin për këto këngët super provokuese ose për këngët që janë super të egra prandaj doja edhe të sillja një variant pak më delikat dhe më me tekst. Po ta analizosh është hip-hop në fund të fundit. 

Artistit Don Phenom i mungon koha e kasetave?

Më ka marrë malli për hip-hop autentik. Më ka marrë malli për tekst, asnjëri nuk po shkruan më tekst. Nuk kemi më shkrimtarë kemi thjeshtë muzikë pop. Nuk ka asgjë të keqe me muzikën pop është e bukur, por është për artistë pop. Duhet ta thërrasim hip-pop tani nuk është më hip-hop. Ky është problemi. 

Ndoshta edhe unë jam fajtor sepse edhe unë kam sjellë muzikë komerciale, por gjithmonë jam munduar që të paktën të kem një fije tekst dhe kuptim. Tani është vetëm vijë melodike, ndjenjë, beat dhe aq. 

Çfarë e frymëzon më shumë sot Don Phenom?! Çfarë mendimi ka për famën?

Fama është burg, fama është një hasmëri që është shumë e pabesë dhe nuk ka lë rehat askund. Unë ta kisha ditur që është kështu do isha futur në lojë me maskë. Më ka marrë malli të ecë dhe të bëj gjëra normale. Nuk ke privatësi, shkon diku dhe të sheh kushdo. 

Artisti ndër të tjera zbuloi se shumë shpejt ai do të sjellë një projekt të ri me një vajzë shqiptare.

Kam edhe një bashkëpunim që jam duke punuar me dikë që ka fituar një emision shumë të madh jashtështetit. Është një vajzë por nuk e zbuloj sepse e marrin mësysh. Është shqiptare. 

Kur u pyet nga Niko në lidhje me Big Brother VIP, artisti u shpreh se do ta pranonte ftesën vetëm me një kusht.

Në Big Brother mund të futem vetëm nëse është formati që të burgosin. A e dini që është një format i Big Brother-it në botë që të burgosin? Vetëm ashtu mund të futem.

Sepse është talent nervash, nuk e di a kam edhe aq talent të duroj. Nuk do toleroj se do më vijë në majë të hundës. Aty është kush mund të jetë më i zoti që të mos shpërthejë. Unë debatet i kisha përballuar por ofendimet jo. Janë disa pika shumë delikate ku mund të futet familja në rol dhe a e dini çfarë? Më mirë po rri kështu. Po bëj tifozin nga larg. 

Ndër të tjera theksoi se:

Formati është i bukur dhe në qoftë se do të ishte ai formati i burgut brenda do të ishte perfekt për mua. Atëherë unë do të kisha ditur si të merresha, përndryshe jo. Kështu që drejtora ju lutem futeni burgun brenda, vendoseni opsionin e tillë dhe Doni futet direkt. Atëherë ne e shohim se sa nerva kanë…