Ditën e sotme në emisionin “Wake Up” ka qenë e ftuar Erma Mici. Ajo është një nga këngëtaret më të reja por shumë e talentuar, e cila së fundmi ka publikuar projektin e saj “Heartbreak Hotel”. Por Erma gjithashtu i është bashkuar familjes së Top Albania Radios si një nga prezantueset më të reja dhe ju mund ta dëgjoni atë në emisionin “Një këngë për ty“.
Si fillim si nisi projekti “Heartbreak Hotel”?
E gjitha nisi para 2 vitesh e gjysmë. Unë e shkrova “Heartbreak Hotel” kur u frymëzova nga një këngë e Rihanna-s. “Heartbreak Hotel” në fakt është një këngë e shkruar nga Elvis Presley, një nga këngët e tij më të famshme. Por jo për titullin, më shumë për atmosferën që krijonte, u frymëzova për tekstin dhe për instrumentalin nga “Love on the Brain”. Pastaj “Heartbreak Hotel” erdhi shumë natyrshëm si titull kur isha duke shkruar dhe këngën. Mendova që do të bënte një farë diference në imazhin tim si person, por mu desh një kohë shumë e gjatë që ta realizoja sepse isha e zënë dhe me shkollën, nuk më ishte thyer zemra mjaftueshëm që ta bëja publike… (qesh)
Kur ka nisur marrëdhënia jote me muzikën?
Unë kam filluar të këndoj kur kam qenë 9 vjeç e gjysmë dhe kur kam filluar të këndoj ishte më shumë për qejf. Nuk është se e kam vrarë mendjen se çfarë do bëja me këtë, plus që isha dhe shumë e vogël. Nuk mund të kuptohej 100% se sa ishte potenciali im për të shkuar më tutje. Por kur unë fillova të këndoj në dhomë thuajse ditë përditë, u bë një gjë shumë e shpeshtë dhe prindërit u habitën dhe filluan të më pyesnin. Aty e kuptuan që unë realisht e kisha shumë qejf këtë gjë dhe fillova të merrja pjesë në koncertet e shkollës, sado që ishin të vogla por prapë ishin dalje të mira për mua që të mësohesha dhe me skenën dhe të ekspozohesha më shumë. Me kalimin e viteve sa më shumë dilja në skenë aq më shumë nuk më bënte më përshtypje sepse jam mësuar, por prapë e kam një lloj emocioni kur shfaqesh para një publiku.
Lidhur me eksperiencën tënde të re radiofonike çfarë mund të thuash?
Rrugën time radiofonike kam dashur ta nis që në kohën kur fillova të shkruaja “Heartbreak Hotel”, por nuk eci sepse unë isha ende pak e vogël, isha në gjimnaz. Më vonë mu mbush mendja që të vija të bëja dhe një audicion tjetër. Pastaj kur mora lajmin që të vija dhe ta ushtroja praktikën On Air, aty fillova të mendoj që shanset e mia për të qenë pjesë e Top Albania Radios ishin rritur. Ka pasur shumë njerëz që më kanë dëgjuar dhe më kanë thënë ‘bravo’, por duke qenë se është dhe fillimi i eksperiencës time besoj se do të përmirësohet edhe më shumë se kaq. Megjithatë kam marrë vetëm komente pozitive dhe për këtë jam shumë e lumtur.
Cila është ëndrra jote e madhe muzikore?
Këtë në fakt ia kam shprehur babit dhe i kam thënë që asgjë nuk do të më bëjë përshtypje deri në momentin që do marr një Grammy…(qesh) Por edhe nëse nuk arrihet, mjafton që unë e mbaj standardin e lartë si artiste dhe kjo më motivon që të eci përpara.