Era Istrefi është pa asnjë dyshim një zbulim i rrallë në industrinë e muzikës moderne shqiptare, një këngëtare që premton shumë. Suksesi i saj tashmë i ka kaluar kufijtë, por ky është vetëm fillimi!

 

Kush është ERA?

Fillimisht, ajo ishte motra e Norës, por tani të gjithë e identifikojnë si ERA.

Ajo është lindur më 4 korrik të vitit 1994 në Prishtinë dhe njihet si kantautore kosovare që këndon në zhanret pop, reggae, dancehall, dubstep dhe electronic.

Ajo është vajza e Suzana Tahirsylajt, këngëtare e njohur kosovare e viteve ’80-’90 dhe Nezir Istrefit, dikur gazetar. Pas humbjes së babait në vitin 2004, nëna e saj hoqi dorë nga muzika, por trashëgimia kaloi tek motra e saj Nora, e cila është tashmë një këngëtare e afirmuar.

 

FAMILJA

Era ka dy motra më të mëdha, Norën, këngëtare dhe Nita Istrefin, stiliste. Ato kanë dhe një vëlla më të vogël, Bledin.

 

KARRIERA

Suksesin fillestar Era e pati fill pas publikimit të singëllit debutues “Mani për money”, në vitin 2013, këngë nga e cila mori një feedback pozitiv dhe u prit mjaft mirë nga publiku. Këngët që pasuan “A po don” dhe “E dehun” ndoqën të njëjtin sukses. Në këngën “E dehun”, frymëzuar nga origjinali i Nexhmije Pagarushës, ajo shfaqet me një stil tjetër dhe me një klip mjaft provokativ. Kënga u bë pre e shumë kritikave pozitive dhe negative, por jehona ishte e padiskutueshme.

Në vitin 2014 ajo fitoi 3 çmime në Videofest për videot e këngëve të saj, duke përfshirë këtu dhe çmimin “Best New Artist” për karrierën e saponisur në 2013-ën.

Në dhjetor të vitit 2014 ajo lançon “13”, një baladë pop e prodhuar në Shtetet e Bashkuara. Videoja arriti 200 mijë klikime në 24 orë. Kënga u bë publike edhe në V-Magazine.

Në vitin 2015 Era goditi sërish me këngën që u bë menjëherë hit “Njo si ti”, këngë që arriti të kapte 1 milion klikime vetëm një javë pas publikimit në YouTube. Dueti i saj i parë me reperin e njohur Ledri Vula “Shumë pis” u bë gjithashtu një hit i padiskutueshëm.

Në janar të këtij viti, Istrefi tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare me hitin e saj më të arrirë të karrierës “BonBon”, duke arritur deri më sot 44 milion klikime në YouTube. Ajo është krahasuar në mediat e huaja me Sia-n dhe Rihanna-n dhe hiti i saj i ri është bërë tashmë pjesë e shumë klasifikimeve botërore.

Një muaj pas publikimit të këngës, videoja e saj u bë virale nëpër mediat sociale Instagram e Facebook, duke e bërë Erën të tërheqë vëmendjen e shumë vipave ndërkombëtarë; një prej tyre është dhe aktorja Chloë Grace Moretz.

Kulminacioni i suksesit të “BonBon” shënohet me ofertën që Sony Music Entertainment i bëri Erës në shkurt të këtij viti për të qenë pjesë e label-it të tyre.

 

DISKOGRAFIA:

Këngët e Erës janë shkruar kryesisht në dialektin Gegë. Ajo është ndër të paktat këngëtare të territorit shqip-folës që këndon një miksim mes reggae, dubstep dhe pop.

2013: “Mani për money”

2014: “A po don?”

2014:E dehun

2014: “13”

2015: “Njo si ti”

2015: “Shumë pis” (ft Ledri Vula)

2016:BonBon

 

 

SUKSESI NDËRKOMBËTAR

Që pas publikimit të “BonBon”, ofertat nga kompanitë e huaja kanë qenë të panumërta. Era dhe menaxheri i saj kanë vlerësuar të gjitha ofertat që mbërritën në një kohë mjaft të shkurtër dhe 3 kompanitë që ata veçuan ishin: Sony, Island dhe Republic.

Pas paraqitjes në kanali gjerman Pro7, ajo tashmë është mjaft e kërkuar edhe në tregun europian.

“BonBon” ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm në rrafshin ndërkombëtar, duke u renditur në vendin 24 në aplikacionin Shazam.