Vetëm pak ditë më parë, Era Istrefi ka dhënë lajmin më të bukur për fansat e saj. Pas shumë muajsh në pritje, këngëtarja e hitit “Bonbon” ka finalizuar projektin e saj më të ri muzikor, i cili pritet të publikohet ditën e premte. “Redrum”, titullohet kënga më e re e Istrefit, e cila kësaj radhe ka vendosur të vijë në një bashkëpunim me Felix Snow.
Në një komunikim me fansat e saj në Instagram, Era është shprehur se kjo këngë tregon një pjesë të shpirtit të saj. Ndërkohë që të gjithë presin me padurim prurjen e re të artistes, fansat vazhdojnë t’i qëndrojnë besnikë këngëtares duke e votuar vazhdimisht në “Top Awards” për hitin “Bonbon”.
“Bonbon” prej 43 javësh qëndron në “The Top List”, duke u shndërruar në këngën që qëndron më gjatë në klasifikimin e 50 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare. Gjatë kësaj javë, kjo këngë është ngjitur me 5 pozicione, duke u renditur në vendin e 17-të.
Duket se “Bonbon” do të qëndrojë gjatë në shijet e publikut shqiptar.