Enxhi Nasufi ishte e ftuar në emisionin “Lancio” me Erma Micin dhe David Anthony Prifti në Top Albania Radio, ku ndau me dëgjuesit historinë e saj artistike dhe emocionet pas këngës më të re “Ku je”. Gjatë intervistës, Enxhi foli për fillimet e saj në muzikë, pasionin që e ka shoqëruar që në fëmijëri dhe rrugëtimin mes skenës, sfidave dhe rritjes personale. Ajo theksoi rëndësinë e qëndrueshmërisë dhe punës së palodhur për të ndërtuar një karrierë të vërtetë dhe të qëndrueshme në një treg që shpesh i kushton më shumë vëmendje imazhit sesa thellësisë artistike.
Në lidhje me shkëputjen e saj gjatë këtyre viteve, ajo u shpreh:
Unë jam rikthyer në muzikë pas, konsiderueshëm shumë kohë, 4 vite ndoshta që nga kënga e fundit në festival. 4 vite që nga festivali. Është kohë e gjatë se nëse e lë, të lënë thonë. Në një farë mënyre mendoj se ka qenë një zgjedhje personale. Tani është momenti i duhur dhe gjërat nuk ndodhin kot, ndodhin gjithmonë për një arsye. Energjitikisht isha më mirë tani. E ndjeja që të rikthehesha tani në muzikë dhe të rikthehem për mirë. Pra, të rikthehem dhe të mos iki më, me dëshirën e mirë për të punuar në vazhdimësi.
Ndoshta kjo shkëputje ishte ajo çfarë asaj i duhej. Ja si erdhi realizimi i këtij projekti:
Shkova tek studio e Kledi Bahitit, që e përshëndesim se e duam shumë, dhe mendoj që edhe me Kledin ka qenë momenti i duhur për t’u ritakuar se ne ishim njohur më parë me njëri-tjetrin dhe e kemi kuptuar energjinë e njëri-tjetrit menjëherë. Ndoshta unë isha shumë e qartë se çfarë doja, e dija se çfarë kërkoja, e dija se çfarë kisha brenda shpirtit tim. Shumë gjëra i kisha shkruar, shumë gjëra i kisha në kokë. Ndoshta edhe Kledi nga ana tjetër e kuptoi menjëherë të gjithën. Ma kuptoi edhe shpirtin, edhe dhimbjen, edhe dashurinë, edhe lumturinë, edhe të gjitha emocionet përnjëherësh.
Siç edhe ajo e përmendi, kënga mban edhe dashurinë, edhe dhimbjen brenda saj. Në rrjet qarkullon se kjo këngë është dedikim ndaj ish-partnerit të saj. E pyetur se si mund të ketë reaguar ai, Enxhi u shpreh:
Mendoj me shumë dashamirësi, por nuk kam asnjë ide. As nuk dua ta di, në sensin që më mjafton kjo gjëja.