E ftuar në “Lancio” në Top Albania Radio, teksa ka folur më shumë për karrierën e saj si në muzikë ashtu edhe në televizion, ka qenë Enxhi Nasufi. Enxhi ka publikuar së fundmi dhe këngën e saj “Lullaby” që për këtë javë renditet në vend të 96-të të klasifikimit të “The Top List”.

Sa ‘e fiksuar’ pas këngëve të saj është ajo që të dalin sa më perfekte?

Manjake nuk jam, por ndonjëherë më zë që ndoshta nuk është ky momenti për këtë këngën, hajde bëjmë edhe një tjetër. Dhe çfarë ndodh pasi bën një tjetër, bën edhe një tjetër dhe kë të hedhësh përpara e di Zoti. Nuk di të zgjedhësh. 

 

Fotoja e famshme tanimë e Enxhit e postuar nga vetë bukuroshja në llogarinë e saj të Istagramit, ku shfaqej me lot në sy dhe i bashkangjiti një mbishkrim të gjatë e mjaft frymëzues. Lidhur me komentet që mori kjo foto, Enxhi foli më shumë në “Lancio”.

 Nëse prisja mbështetje nga ndjekësit e mi, e prisja shumë. Janë po të njëjtët njerëz që kur ndihem mirë, ndihem konfidente më shkruajnë po të njëjtat gjëra. Nga mediat dhe televizionet pati një furi të madhe telefonatash. Jemi fatkeqësisht në ato ditë që këto gjëra konsiderohen të guximshme, ku marketohet të qenurit shumë i lumtur, shumë i bukur, të jetuarit në luks, gjë që jo të gjithë kanë mundësi ta kenë.

E teksa Enxhi është një vajzë që i ka provuar të dyja botët, për një të ardhme, cilën prej tyre do të zgjidhte ajo?

Muzika është dashuria ime më e madhe, me atë kam lindur, me atë jam rritur dhe nuk e ndërroj me asnjë gjë tjetër në botë. Do ngelet gjithmonë dashuria ime e parë. Por edhe televizioni dhe prezantimi janë një gjë që i kam shumë përzemër , kështu që mendoj se do t’i vazhdoj të dyja në një të ardhme. 

Çfarë mendimi ka Enxhi për tregun muzikor shqiptar dhe artistët që numërojnë miliona klikime?

Tregu muzikor është një lëmsh i vërtetë, pa rregulla, pa ligje. Një artist që i merr ato klikime ka punuar, madje ka punuar fort, por jo gjithmonë janë vetëm ato. Artistët e rinj ose ata si puna ime nëse do kishim zgjedhur rrugën e ‘boom-it’ do kisha arritur më shumë.  

E duke u shkëputur pak nga karriera, Enxhi zbuloi dhe pak nga jeta e saj sentimentale, ku e pranoi se ishte në një lidhje dhe shumë e lumtur.

Jam në një raport që i bëj të gjitha gjërat që më bëjnë të ndihem mirë. Partnerit tim nga ana e karakterit i pëlqen sinqeriteti, ma thotë gjithmonë, e vlerëson shumë. I pëlqen që nuk bëj kompromise, nuk e shkel veten time për asgjë. Ai mendon se muzika është treg i vështirë dhe pak lëmsh. Me shumë mundësi mund të bëhem shumë shpejt nënë. Unë familjen e vë përpara çdo gjëje.