Kanita është një artiste e re, emri i së cilës sa vjen dhe bëhet akoma më i rëndësishëm për publikun shqiptar. Edhe pse e re në moshë, këngëtarja dallohet për zërin e saj të fuqishëm dhe tepër të veçantë.

Pas disa muajsh mungesë, Kanita është rikthyer në klasifikimin e “The Top List” me projektin e saj më të ri muzikor, të titulluar “Fllad”. E kontaktuar nga “Top Awards”, artistja ka zbuluar më shumë për këtë prurje muzikore dhe si ka ndryshuar jeta e saj që nga debutimi muzikor.

TA: Sa ka ndryshuar Kanita nga debutimi i saj muzikor dhe deri tek “Fllad”?

Kanita: Gjithçka ka ecur në kohën e vetë besoj dhe çdo herë mundohemi që të vijmë akoma më mirë. Kështu që mendoj se ndryshime duhet të ketë gjithmonë. Sa i përket ndryshimit tim si Kanita, ka shumë pasi tashmë njihem nga më shumë njerëz, kam ftesa të ndryshme për t’u paraqitur nëpër programe televizive, gjë që më lumturon shumë pasi kam shumë përkrahje.

TA: Eshte rritur numri i fansave? Sa ndjekes numeron momentalisht ne rrjetet sociale?

Kanita: Patjetër që numri i atyre që pëlqejnë muzikën time shtohet dhe jam shumë e lumtur për këtë gjë. I falenderoj të gjithë për përkrahjen që më japin dhe që jan me mua në çdo hap. Momentalisht numëroj gati 70 mijë ndjekës.

TA: Na jep më shumë informacione për “Fllad”, kush është kujdesur për muzikën dhe tekstin?

Kanita: “Fllad” është kënga për të cilën kemi punuar shumë. Ajo është prodhuar nga producenti im Boban Apostolov dhe teksti nga Lindoni Berisha.

TA: Na zbulo më shumë për videoklipin? Ka patur ndonjë vështirësi, ndonje incident apo ka qënë shumë i thjeshtë për t’u realizuar?

Kanita: Videoklipi është xhiruar në Austri dhe kemi patur goxha vështirësi pasi kemi bërë shumë pjesë të ndryshme. Ajo më e vështira ka qënë në Alpe, mbi 2000 metra lartërsi dhe ka qënë shumë ftohtë. Pavarësisht kësaj besoj se përfundimi ishte shumë i mirë dhe realizuam diçka shumë të bukur.

TA: Në rrjetet sociale të krahasojnë me shumë artistë me famë botërore, ti mendon se ngjason me dikë në stil muzikor?

Kanita: Unë mendoj që në botë ka shumë artistë të ndryshëm por besoj që të gjithë kanë atë veçantinë e vetë.

TA: Jeni rikthyer ne klasifikim pas disa muajsh, çdo të thotë kjo për ju?

Kanita: Jam shumë e lumtur për ketë gjë.

TA: Cilat janë planet tuaja në muzikë? Ndonjë projekt?

Kanita: Po punojmë tërë kohën për këngë të reja dhe kemi shumë plane, të cilat dua sa më shpejt t’i ndaj me publikun.