Kohët e fundit, skena muzikore shqiptare ka përjetuar një ndryshim të ndjeshëm. Ajo që dikur dominonte me ritme të forta hip-hop dhe tekste që flisnin për realitetin urban, tani po i lë vendin zhurmës energjike dhe atmosferës elektrizuese të muzikës EDM – Electronic Dance Music.
Një ndër arsyet kryesore për këtë ndryshim është ndikimi i trendeve globale. Muzika EDM ka pushtuar skenat ndërkombëtare, festivalet dhe platformat si Spotify apo TikTok. Kjo frymë ka mbërritur edhe në Shqipëri, ku të rinjtë kërkojnë gjithnjë e më shumë muzikë që u jep energji, argëtim dhe mundësi për të “shpërthyer” në pistën e vallëzimit.
Nga ana tjetër, hip-hop-i shqiptar, që dikur ishte në majat e listave muzikore, duket se po kalon një fazë tërheqje. Ndërsa artistët e EDM-së po eksperimentojnë me tinguj të rinj apo ritme moderne, shumë prej reperëve duket se kanë ngecur në të njëjtat formula.
Kjo pasqyrohet edhe në prurjet e fundit në “The Top List”. Këtu përmendim projektin e veçanta të Ada Verd, “Mos shko”, bashkëpunimi i Chriss Lekaj dhe Dust, “Rri”, apo Apollo Producer me “Zane mali”, si dhe AM me “Verën tjetër”. Të gjitha këto projekte i janë bashkuar listës së kësaj jave.
Megjithatë, kjo nuk do të thotë që hip-hop-i po zhduket, por thjesht po humbet dominimin që kishte dikur. Muzika EDM sot është ajo që dëgjohet në klubet e natës, në playlist-at verore dhe në shumicën e eventeve. Në fund të ditës, muzika ndryshon me kohën. Dhe sot, koha duket se i përket EDM-së.