Artistja shqiptare Ronela Hajati do të hapë shfaqjen e Eurovizion që do të mbahet më datë 10 Maj. Këngëtarja shqiptare do të performojë e parë në gjysmë finalen e parë të festivalit evropian që pritet të mbahet në Torino.
Ashtu si ajo nuk na zhgënjen kurrë edhe këtë herë bukuroshja na ka bërë të ndihemi krenarë duke thyer një rekord që do ta ndihmojë shumë Shqipërinë në këtë konkurrim. “Sekret” është renditur në vendin e 5-të si një nga këngët më të dëgjuara në Eurovision për këtë muaj.
Videoklipi i “Sekret” sillet rreth dy të panjohur që takohen rastësisht, përjetojnë një eksperiencë jashtë-kësaj-bote, të historisë së tyre sekrete të dashurisë shekuj më parë! Forca e dashurisë është e vetmja që mund të ndryshojë njeriun dhe shoqërine e për pasojë të ardhmen e saj. Paralelisht me historinë e dy të rinjve zhvillohet në mënyrë metaforike një thirrje për mbrojtjen e trashëgimisë sonë natyrore, përfaqësuar nga lumi i Vjosës.
Ronela këtë periudhë ka qenë shumë e ngarkuar duke promovuar “Sekret” në shtete të ndryshme gjatë turit të madh të Eurovizion. Gjithashtu ajo ka ndarë me ndjekësit e saj në Instagram herë pas here detaje nga përditshmëria e saj. Më herët ajo ka treguar se ka qenë duke punuar me Klaudia Pepa në Romë për të bërë një koreografi që duke njohur Ronelën, e dimë që do të jetë ‘wow’.
Pas një periudhe shumë të ngarkuar dhe tejet rraskapitëse, Ronela tashmë është kthyer në shtëpinë e saj në Tiranë. Ne mezi po presim performancën e saj elektrizuese dhe ka mbetur fare pak për të zbuluar më shumë.