E mbani mend Akrepin nga “Moj Xhoana moj”? Pyetje retorike kjo, sigurisht që ju kujtohet! Epo tani, ai vjen në listën e 100 këngëve me të mira shqiptare në Top Awards me “Ballando”, një projekt me një ‘vibe’ interesant, i cili e ka renditur atë në vend të 80-të.
“Ballando” është një këngë e frymëzuar nga tradita muzikore shqiptare. Ritmi i saj është i parezistueshëm dhe është e pamundur të mos kërcesh. Teksti i “Ballando” është një dedikim i thjeshtë dhe i drejtpërdrejtë ndaj sensualitetit femëror, kombinuar në shqip dhe italisht. Kënga është e pasur me elemente dhe ndikime multikulturore, nga hip-hop deri te tradita popullore, me tinguj latinë dhe reggaeton. Por le të njihemi pak më shumë me Akrepin dhe fillimet e karrierës së tij…
Akrepi, emri i vertetë i të cilit është Evis Nako, lindi në qytetin e Kavajës. Ai njihet si një nga artistët e parë të Hip Hop-it të mirëfilltë në trevat shqiptare. Tekstet e tij bazohen shpesh në histori reale dhe prekin tema sociale.
Ai emigron në moshën 14-vjeçare në Gjermani. Akrepi i afrohet Hip Hop-it në një qendër riedukimi në moshën 16-vjeçare, kur asistentja e tij sociale bën çmos për t’i dhënë rrugën e drejtë duke i dhuruar pas daljes dhe një tastierë elektronike me rastin e 18-vjetorit.
Ai formon grupin “Rap Assassins“ me të cilin performon në qytete të ndryshme të Gjermanisë këngë kryesisht në gjuhën gjermane. Më pas shpërngulet në Itali në vitin 2001 dhe i prezantohet për herë të parë publikut shqiptar në festivalin Top Fest 1 me këngën “Rrugë e gjatë” dhe “Xhoana”, vargjet e së cilës mbetën kult.