E ftuar në emisionin “Back to the Beginning” në Top Albania Radio ka qenë Arsi Bako. Artistja mjaft e talentuar në shumë dimensione, ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me karrierën e saj muzikore, angazhimet si dhe synimet e saj sa i përket jo vetëm në fushën e artit por edhe më tej.

Çfarë kishte menduar Arsi se do të bëhej kur të rritej? I ka realizuar ajo ëndrrat e saj që ka pasur në fëmijëri?

E kam harruar se çfarë mendimesh kam pasur e vogël. Di që gjithmonë e kam pasur dëshirën për t’u bërë këngëtare, për të kërcyer dhe për të qenë në skena gjatë gjithë kohës. Por kam qenë me këmbë në tokë dhe thoja që nuk do të bëhesha këngëtare sepse nuk është e mundur. Ja që doli se kur ke besim te vetja mjaftushëm atëherë mund të bëhet dhe diçka. 

Gjatë diskutimit artistja u shpreh se i pëlqejnë këngët e trishtuara dhe në lidhje me këtë Kozeta e pyeti se pse ndodh kjo sipas saj? Çfarë kanë këngët e trishtuara që prekin më shumë, janë më emocionalisht të ngarkuara?

Unë personalisht mendoj që nuk është një gjë shumë e mirë, por kam përshtypjen që emocioni që ndjen më fort është trishtimi. Po më shijon si emocion edhe i ndjellë nga diçka tjetër siç është muzika, është diçka e bukur. 

A bën kompromise Arsi me zhanrin e muzikës? Ku mendon ajo se rri më mirë si artiste?

Faktikisht nuk e di, ndoshta e kam miksuar pak më shumë seç duhet. Kam bërë rock, pop, kam dëshirë të bëj diçka të ngjashme me jazz, kam qejf soul dhe R&B. Unë ende nuk jam e vendosur. Kam qejf që t’i provoj të gjitha dhe të shikoj ku rri më mirë. 

Në muajin nëntor të vitit të kaluar në 2025, Arsi u shpall fituese e edicionit të tretë të Festivalit të Këngës në Kosovë, duke marrë trofeun “Diamanti i Kaltër” me këngën “Rreze zjarr”, një krijim me frymë rock. Në lidhje me këtë Kozeta e pyeti se si është ndjerë ajo atje dhe a kishte frikë në një terren të ri?

Ka ardhur si propzim prej Gjergj Kaçinarit, ai donte që të sillte disa emra të rinj në Festivalin e Kosovës në mënyrë që të ketë dhe një qasje tjetër sepse ka patur shumë emra të rinj faktikisht, por thjesht jo nga Tirana dhe nga Shqipëria. E kemi folur dhe më tha që çfarë do të bëjmë, pra ishte shumë e hapur si ide. Nuk ishte fare e kufizuar vetëm te ajo e Kosovës, por ishte dhe për Shqipërinë dhe për festivale të tjera. 

Në lidhje me renditjen në vendin e parë, Arsi tregoi se:

Kam dashur që të jem pa pritshmëri dhe ashtu kam qenë, unë e kisha besimin te kënga, por nuk kisha besimin se si do të pritej kënga. Vërtet kam qenë e mendimit që do ta shijoj këtë eksperiencën dhe do të dal sa më mirë vetë. Nuk është se prisja një çmim sepse për të dashur kush nuk do të donte. Kam vajtur për të parë një tjetër organizim, një tjetër atmosferë, një tjetër rrethanë njerëzish që merren me muzikë në një vend tjetër. Faktikisht atë gjeta, ndoshta jo shumë ndryshe nga ne por ishte një frymë për mua e re.

Sa i përket të ardhmes së saj në lidhje me fushën e muzikës dhe krijmtarisë, këngëtarja u shpreh se:

Kam dëshirë që ato këngët që unë i kam në celularin tim, të filloj dhe t’i punoj pak më shumë dhe t’i formësoj që pse jo së shpejti t’i kem. Nuk ka ditë që nuk mendoj për to.