I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ka qenë këngëtari vokalist i grupit të njohur NRG Band. Ata kanë publikuar së fundmi këngën e tyre më të re, “Aman” që ka hyrë këtë javë në klasifikimin e 100 këngëve më të mira shqiptare në “The Top List”. Për të na folur më shumë mbi këtë projekt, por dhe të tjerë që do të vijnë, ka qenë vetë Besniku…
Si lindi kënga “Aman”?
Ka qenë një histori që kur është ndërtuar kënga. Ngjarja e tekstit bazohet tek një shok i yni, ka qenë në studio që ka treguar një rrëfim të jetës së tij. Ai ka qenë marrëzisht i dashuruar me një vajzë, por në vitin 1999 gjatë luftës në Kosovë, shumë u larguan dhe nuk morën më vesh për njëri-tjetrin. Pas disa vitesh ata krijuan familje secili, pa pasur asnjë kontakt me njëri-tjetrin. Ky djali ka një karrocë që shet petulla në qytet, një ditë vjen një vajzë për t’i blerë fëmijëve të vet petulla. Aty shikohen dhe i dridhen gjunjët, i bien petullat nga dora. Të mendosh se do të ishte gruaja e tij po të mos ndaheshin nga lufta. Ajo ka marrë fëmijët përdore dhe ka vazhduar. Në bazë të kësaj historie ne ndërtuam këngën.
Si reagoi ai kur dëgjoi këngën?
Atij iu mbushën sytë me lot, nuk qau por u emocionua shumë. Ishte hera e parë që e dëgjoi këngën. Kjo histori është në shumë libra dhe mund t’i ketë ndodhur shumë personave. Kjo na motivoi ne për të ndërtuar një këngë.
NRG Band krijon disa pauza të gjata dhe riktheheni në formën më të shkëlyqr të mundshme, siç ishte dhe kjo këngë. A po merreni momentalisht me projekte të reja?
Po patjetër, kemi shumë demo që i punojmë çdo ditë. Kemi një kohë të gjatë që punojmë për artistë të tjerë në studion tonë, edhe pse emri jonë nuk del shum si producentë. Ka kaluar një kohë e gjatë që jemi në treg, jemi aktivë me koncerte, por po ndodh një anarki në botën e muzikës. Kjo më bën të stepem dhe të mendoj se çfarë duhet bërë në të ardhmen.
Sot është shumë lehtë për të krijuar. Ne i kemi kaluar ato faza që nuk ka pasur rrjete sociale, sot është më lehtë në aspektin teknik. Por më e vështirë sepse ka prurje të reja, disa që mbase marrin vëmendje kot.
Një video ku ti këndon me vajzën tënde Una, është bërë shumë virale. Çfarë mund të thuash për këtë talent të sajin?
Una është 6 vjeçe dhe ka filluar klasën e parë. I dëgjon këto këngë në shtëpi, sepse ne e kemi si rutinë ditore që dëgjojmë muzikë dhe këndojmë. Nuk jam tipi që e shtyj të bëhet këngëtare pa dëshirën e saj. Mendoj se e ka talentin, por do të shihet vitet e ardhshme se sa dëshirë ka. Nëse po, do të punoj shumë pas saj. Ajo e ka yllin në ballë, video u bë virale në Amerikë dhe filluan të shkruanin dhe mediat.