I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Lancio” në Top Albania Radio, ka qenë artisti i njohur Besnik Qaka. Ai ka folur më shumë mbi karrierën e tij ndër vite, si dhe projektet më të fundit…

Kur e kthen kokën pas në karrierën tënde ndër vite, çfarë të bën më shumë krenar si artist?

Puna është ajo që të bën krenar. Kur ti merr një feedback shumë të mirë nga publiku, padyshim që të bën të ndihesh shumë mirë, sepse tregon që ti vlen. Jam jashtëzakonisht i kënaqur dhe falenderues për të gjithë ata që duan punën tonë.

Energjinë që të jep publiku, e ndien po njësoj si në vitet e para që ke debutuar?

Është energjia që na mban në skenë. Reflekton ajo, ti e ndien. Ajo të jep motiv, të jep shumë, kur ti je në skenë, ajo na bën të ndihemi shumë mirë. Nuk kam qejf që thjesht njerëzit të bëjnë pas meje, unë dua që të bëjnë pas punës sime, të pëlqejnë muzikën time. Ajo më bën më shumë krenar.

Si erdhi emri i grupit NRG Band?

Kur jemi formuar si grup, ato vitet e para, kemi qenë në një club. Kur filluam të bëjmë muzikë, njerëzit na pëlqyen dhe na komplimentuan. Kur pyetën për emrin e grupit, ne ngelëm. Pronari ishte anglez dhe po mundohej të gjente një emër dhe tha se do bënte një quiz, do dhuronte një shishe shampanjë se kush e gjen emrin më të mirë. Njerëzit filluan të shkruanin emrat në letër dhe i futën në një shportë. Dhe një nga emrat ishte NRG Band, u duk interesante dhe ne nuk e zgjatëm më.

Çfarë mund të na rrëfesh mbi krijimin e këngës “Butterfly”?

Vetë demoja e këngës ka nisur me këtë fjalë. Kur e kanë dëgjuar bashkëpunëtorët, ka tingëlluar shumë interesante. Ne si grup jemi shumë eksperimental.

Çfarë vjen së shpejti nga NRG Band?

Projekte ka shumë. Është një këngë e radhës që po presim ta përfundojmë. Gjithashtu kemi ushtrime intensive çdo ditë, sepse NRG Band so të kthehet me koncert. Jo thjesht koncert recital, por një show, ku njerëzit do të vijnë të dëgjojnë hitet tona, muzikën tonë. Do kisha qejf ta quaja festë. Të shkojmë në koncertin e NRG Band të kënaqemi, sepse do të jetë festë. Kemi filluar punën, kemi filluar ushtrimet, provat çdo ditë. Do të fillojmë në qytetet e mëdha njëherë, në Prishtinë dhe Tiranë.