Pas një periudhe relativisht të gjatë larg publikimeve të reja, Dylan rikthehet në qendër të vëmendjes me këngën e tij më të fundit, “Countdown”. Ky rikthim vjen si një moment i shumëpritur për të gjithë dëgjuesit e “The Top List”.

“Countdown” është një këngë që mbart një atmosferë emocionale, tipike për stilin e Dylan. Në thelb të saj qëndron një histori ndarjeje, por jo vetëm si një përfundim i një marrëdhënieje, më shumë si një proces reflektimi mbi atë që mbetet pas.

Teksti i këngës eksploron ndjenjën e humbjes, kujtimet që rikthehen në mënyrë të papritur dhe momentin kur njeriu kupton se një dashuri e dikurshme tashmë është pjesë e së kaluarës. “Countdown” ruan stilin karakteristik të Dylan.

Rikthimi me këtë këngë duket se nuk është thjesht një publikim i ri, por edhe një rikujtim i aftësisë së Dylan për të trajtuar temat universale të dashurisë dhe humbjes me një ndjeshmëri të veçantë. Lidhur me këngën, Dylan ka treguar për Top Awards:

“Kënga “Countdown” është kënga e parë nga EP-ja ime e parë “N’Agoni”. Materialet do të dalin në periudha të ndryshme kohore njëri pas tjetrit. Të katërt projektet janë të krijuara nga unë dhe Jeris Kaso, bashkëpunëtori im artistik prej më shumë se 2 vitesh tashmë dhe producenti ekzekutiv i katër materialeve të EP-së. Besoj se do të jenë këngë ku shumë prej nesh do ta gjejnë veten me emocione që patjetër do e kenë kaluar njëherë në jetë një ndarje apo një dashuri të humbur.”