E ftuar në “Live From Tirana” në Top Albania Radio, ka qenë Juela Nikolli. Ajo foli më shumë mbi eksperiencën e saj në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, “Big Brother VIP 5”, por duke u ndalur edhe tek karriera e saj muzikore. Juela ka publikuar së fundmi projektin “Detaj”, për të cilin rrëfeu më shumë, por duke zbuluar dhe hapat e radhës…
Në tekst thua “ia del vetë, nuk kam nevojë për ty, zemrën time nuk e blen dot me miliona”, a je kështu edhe në jetën e vërtetë?
Po, jam, përndryshe nuk e kisha pranuar kurrë këtë tekst. Kënga është prodhuar nga Aleks Gjonpalaj dhe është shkruar nga Stivi Ushe dhe kurrë nuk do kisha pranuar një tekst që unë nuk di ta intepretoj ose nuk e gjej veten. Kur menduam për melodinë, doja diçka ritmike, diçka që të jep energji pozitive. Unë në jetën time kam studiuar, kam punuar, por muzikën nuk e kam lënë kurrë, kurrë anash. Gjithë këto vite kam bërë shumë sakrificë dhe kam thënë që unë kam lindur për këtë gjë.
Kur e kuptove që ke talent në të kënduar?
Kam qenë shumë e vogël. Herën e parë kur kam kënduar në skenë kam qenë 6 vjeçe, tek Pallati i Kulturës në Laç dhe më ka dalluar motra ime, Justina. Ajo kishte shumë talent për folklorin shqiptar dhe besoj që po ta kishte ndjekur do ishte bërë një artiste shumë e mirë. Objektivi im është të sjell muzikë të re, energji sa më pozitive, këngë sa më ritmike. Do të doja ta shikoja veten edhe në balada, sepse më pëlqen pjesa e interpretimit. Tani për momentin dua të fokusohem tek këngët më ritmike, që sjellin energji më të mirë.
Ka ndonjë bashkëpunim në horizont?
Sigurisht, ka diçka. Do të vijë shpejt një bashkëpunim, shpresoj tani në qershor. Është një artist goxha i njohur.