E ftuar në emisionin “Wake Up” ka qenë Lauresha Ramadani, një këngëtare shqiptare me prejardhje nga Kërçova. Ajo ka pasur prirje dhe pasion për muzikën që në fëmijëri dhe me kalimin e viteve e ka vazhduar këtë rrugëtim pasi e ka dashur shumë. Së fundmi ajo është bërë pjesë e “The Top List” me këngën “Du me t’pa”.
Si erdhi kjo këngë dhe kush e frymëzoi Laureshën për këtë projekt?
“Du me t’pa” ka lindur shumë spontanisht, unë kisha një plan për të ardhur në Tiranë për të xhiruar klipin për një këngë tjetër dhe më thotë Genti një javë më parë që kënga nuk ishte dhe aq verore, të provonim të bënim diçka tjetër më për këtë kohë. Genti u ul me mjeshtërinë e tij dhe e krijoi këngën. Më pas më mori dhe më tha që kishte diçka për mua.
E dëgjova më pëlqeu shumë, në fillim thashë që është pak komerciale si këngë dhe nuk e dija nëse doja të futesha sërish në këto ujëra, por më pëlqeu aq shumë sa që thashë ‘pse jo’. Kur gjërat bëhen me dashuri çfarëdolloj zhanri që të jetë, del ashtu siç duhet. Teksti në fakt është shkruar një ditë para se të bëhej regjistrimi, në kohë rekord.
Kujt i drejtohet Lauresha me “Du me t’pa”? E ka marrë malli për dikë?
Jo, jam shumë mirë dhe nuk është dedikim absolutisht. Është një këngë vere dhe u inspirua nga këto dashuritë e verës sidomos kur je në kurbet dhe mezi pret të kthehesh në vendlindje që të takosh të dashurin ose të dashurën. Thjesht diçka spontante që lindi si ide.
Si arrin Lauresha të balancojë karrierën e saj si arkitekte ‘interior design’ dhe muzikës?
Më duhet të them që nuk është e lehtë, kam shumë përkrahje nga familjarët. Është një balancë shumë e bukur mes profesionit dhe muzikës sepse ajo më lejon që unë të dal jashtë vetes. Më lejon që unë ta jetoj lirinë kreative.
Ndër të tjera artistja shtoi se:
Ka një ndryshim nga një artist që e bën këtë gjë për të mbijetuar dhe që do të kapë masën dhe të jetë në treg gjithë kohës. Unë personalisht nuk e kam këtë synim sepse jam goxha e përmbushur dhe me veten time, nuk e kam këtë nevojë që të jem në këtë anën komerciale. E bëj sepse vërtet e kam një pasion për këtë gjë.
Do të sjellë projekte të reja?
Patjetër, e kam pasion. Unë mund ta lë por nuk më lë ajo mua.