Dj Olti, i njohur për disa projekte muzikore, ka bashkuar fuqitë së fundmi me Alban Skënderaj dhe Lyrical Son, duke sjellë këngën e titulluar “93”. Përmes këtij projekti muzikor, Olti ka vendosur të rikthejë në qendër të vëmendjes muzikën e viteve 90′.

Kjo këngë duket se ka kthyer pas në kohë publikun, duke u bërë nostalgjik. Falë sugjerimeve të bëra në topawards.top-channel.tv, kjo këngë është bërë pjesë e klasifikimit të “The Top List”, duke u pozicionuar në vendin e 48-të.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Dj Olti ka treguar se si lindi ideja për këtë projekt muzikor dhe pse zgjodhi dyshen e artistëve, Albanin dhe Lyrical Son për t’i dhënë jetë këtij projekti.

TA: Për çfarë flet saktësisht kënga “93?

Dj Olti: Eshtë një këngë me një tekst sidomos për nostalgjikët e viteve 90′. Fillimi i viteve 90′ nuk ka qënë nga më të lehtët për t’u përballuar për shqiptarët por midis vështirësive, ka patur dhe kujtime të bukura ndaj ky tekst të rikthen në vitet 90′ për bukurinë e tyre. Ishte fillimi për gjithçka për shqiptarët dhe impakti me botën moderne sidomos për të rinjtë, ishte i jashtëzakonshëm.

TA: 

Nga u frymëzuat për këtë projekt muzikor?

Dj Olti: Eshtë dicka rastësore, kur së bashku me Boocky-in (që është bashkëproducent) i propozuam Albanit, të tre menduam që kënga kishte nuanca dhe të kujtonte vitet 90′. Aty Albani u frymëzua të shkruante një tekst për një cift të rinjsh që kujton me nostalgji ato vite.

TA: Pse zgjodhët pikërisht këtë titull?

Dj Olti: ’93 tingëllon mirë si vit dhe si fjalë plus është një nga vitet kur kanë dalë shumë hite ritmike të asaj kohe.

TA: Si lindi ideja për të bashkëpunuar me Albanin dhe Lyrical Son?


Dj Olti: Përveç se Albani është mik i imi, unë bashkëpunoj ngushtë me të prej vitesh, duke qënë menaxheri i tij. Lyrical Son ishte një ide e përbashkët. Ishte artisti që përshtatej më së miri në diçka “old dhe new school” siç është kjo këngë.

TA:
 Keni menduar që këtë projekt ta shoqëroni me një video muzikore?

DJ Olti: Kjo këngë ishte dicka spontane dhe një këngë me shumë qejfi dhe pasioni. Falë Joan Tankut, me një buxhet më të arsyeshëm arritëm të realizonim një “Lyric Video” kreative, e cila nuk e bën të ndihet shumë mungesa e një videoklipi.

TA: 

Mendoni se kjo këngë duhet të ishte publikuar gjatë verës?

Dj Olti: Besoj që po. Do kishte qënë momenti ideal. Por unë me Albanin kemi qënë gjatë gjithë kohës nëpër qytete me koncerte dhe koha nuk premtoi për ta realizuar.

TA: 
Që në javën e parë të publikimit, gjendeni në klasifikimin e “The Top List”, çfarë do të thotë kjo për ju?

Dj Olti: Për Albanin është dicka patjetër pozitive por më e zakontë ndërsa për mua është një kënaqësi e veçante, duke qënë se punoj dhe jam pjesë e “Top Media” prej 19 vitesh tashmë.

TA: 
Kjo javë ju rendit në vendin e 48-të, cili mendoni se do të jetë pozicioni juaj javën e ardhshme?

Dj Olti: Kam qënë i surpizuar se sa impakt pozitiv ka patur kënga. Eshtë duke u dëgjuar shumë gjithandej dhe ecën me një ritëm të shpejtë dhe konstant me klikimet në Youtube. Kjo është një shenjë pozitive dhe më jep shpresë se mund të votohet edhe me shumë javën e dytë në “Top Awards”.