E ftuar në “Lancio” në Top Albania Radio me Erma Mici dhe David Prifti ka qenë Arsi Bako, një nga artistet më të reja në tregun muzikor. Ajo ka publikuar këngën e saj “Prit” që është bërë pjesë e “The Top List” në Top Awards, ku në këtë intervistë na ka treguar më shumë rreth realizimit të këtij projekti.

Arsi jo vetëm këndon, por edhe shkruan e kompozon. Nga këto fusha, ku e gjen ajo më mirë dhe më keq veten?

Produksioni është ai që më djeg për momentin sepse nuk di fare. Le të themi që ajo që kam bërë pak më shpesh është shkrimi i tekstit dhe ajo më bën pak ‘burnout’. Ka një moment kur ti nuk i gjen fjalët dhe ti mundohesh aq shumë me këtë saqë e humb sensin e gjësë. Kështu që duhet thjesht të bësh një vesh të shurdhër asaj fjalës. Pastaj ndoshta një dy ditësh pushim dhe t’i kthehesh prapë. Kështu që tek kjo has pak më shumë vështirësi.

Cila ka qenë kënga më sfiduese dhe që ajo është përpjekur më shumë për ta sjellë ashtu siç është stili i saj?

Në fakt, unë kam edhe një kujtim me Shawn Mendes që nuk më kanë nxjerrë aq mirë. Kam pas aplikuar për audicionet e “The Voice” me “There’s Nothing Holding Me Back” dhe është shumë e kuptueshme pse unë nuk kalova. Një këngë sfiduese për mua ka qenë “I’d Rather Go Blind” nga Etta James.

Përsa i përket këngëve të saj, nëse do të quhej një dedikim, për kë do të ishte projekti i saj më i fundit “Prit”?

Le ta lëmë mister për shkaqe marketing-u. (qesh) Nuk ka absolutisht. E di çfarë është ideja? Kush e dëgjon këngën “Prit”, le ta relatojë me veten e vet. S’ka pse ta lidhë me mua fare.