E ftuar në studion e “Lancio” në Top Albania Radio ka qenë një artiste shumë e talentuar si Dea Strica. Prej pak kohësh ajo ka bërë një pauzë nga projektet e reja muzikore, por duket se ky vit premton shumë për artisten. Ndërkohë ajo ka jetuar mes Shqipërisë, Maltës dhe tani SHBA, cilin vend do të veçonte ajo nga të tjerët që i ka lënë një impakt mjaft të madh?
Mendoj që e konsideroj veten globaliste, sepse më pëlqen të udhëtoj. Më pëlqen që të ndihem sikur nuk i përkas vetëm një vendi, por në fakt i përkas botës. Është bukur kur e shikon jetën me këtë sy. Më pëlqejnë udhëtimet, më pëlqejnë të zbuloj vende të reja. Nëse flasim për artin, inspirohem nga muzika perëndimore. Përgjithësisht këngët kur i shkruaj, i shkruaj në anglisht dhe jam shumë e influencuar nga muzika e huaj, sidomos ajo amerikane dhe angleze. Nëse do flisja për një vend që më ka lënë një shije shumë të mirë shpirtërore, do të ishte Bali. Kam kaluar disa muaj me shoqërinë time atje, por ka qenë më shumë një zbulim shpirtëror për veten. Atje kam takuar shumë njerëz të rinj nga e gjithë bota. Në Bali kam gjetur një pjesë timen.
Familja e saj ka emigruar para shumë vitesh në Maltë, si e përshkruan ajo jetesën atje?
Ajo është pjesa më e mirë e fëmijërisë sime, aty jam rritur, jam edukuar dhe besoj që ka një impact shumë të madh tek unë. Kjo sepse janë dhe ato vitet e para kur ti krijon identitetin tënd, karakterin tënd. Dhe Malta duke qenë një ishull, një vend me diell, me njerëz shumë pozitivë, besoj ka ndikuar tek unë. Atje mësova dhe shumë gjuhë të huaja.
Si ka qenë rrugëtimi i saj artistik nga hapat e parë e deri tani?
Kam pëlqyer gjithmonë të shkruaj dhe shkruaj shpesh poezi, proza apo novela. Por asnjëherë nuk e kisha menduar që realisht mund të kompozoja, ky ishte një aspekt tjetër që nuk e dija deri vonë. Patjetër që të këndoja ka qenë një nga pasionet e mia më të mëdha. Ka ndodhur diku nga 2017 kur një producent amerikan më nisi një ‘beat’ e cila më pëlqeu shumë. Dhe pasi shkruajta tekstin, menjëherë më erdhi e gjithë melodia në mendje. Ajo ka qenë kënga e parë që kam shkruar vetë. Më pas ishte një vajzë tjetër adoleshente amerikane që kërkonte një këngë dhe aty kam bërë edhe disa të silit ‘country’. Aty ka qenë dhe përfshirja ime në tekst por edhe në kompozim. Më pas fillova të praktikoj dhe pak kitarë dhe piano.
A do të bënte kompromise Dea në muzikë për të qenë më e famshme?
Muzika për mua është diçka shumë e shenjtë dhe unë asnjëherë nuk kam qenë në kërkim të famës. Kur je autentik, kur këndon me shpirt, kur këndon atë çfarë vërtet beson, gjen fansa, gjen njerëz që lidhen me muzikën tënde. Sigurisht kjo rrugë është pak më e vështirë se sa të jesh pak më komerciale.
Ndërkohë, kënga e saj e fundit ka qenë “Energji” e publikuar disa muaj më parë. Sa e gjen ajo veten tek kjo këngë?
E kam shumë të rëndësishme energjinë në jetën time dhe sidomos kur bëhet fjalë për njerëzit, sepse besoj që energjia nuk gënjen. Edhe kënga flet pak a shumë për të njëjtën gjë, për atë flirtin, për atë emocionin, për atë energjinë që dikush e krijon në jetën tënde dhe të ben të ndihesh mirë. Është një këngë sensuale, verore.
A do të kemi projekte të reja nga Dea së shpejti?
Një ndër rezolutat e mia të këtij viti është që t’i dedikohem pak më shumë projekteve të mia. Kam shumë projekte muzikore të cilat janë krijuar dhe janë akoma të pandara me publikun. Por një pjesë të mirë të krijimtarisë sime unë e bëj për artistë të tjerë. Jo të gjitha këngët që bëj janë për mua. Për vete këtë vit do të punj pak më shumë që të sjell disa projekte muzikore me klipe, ide kam plot. Kam disa ide bashkëpunimi, një që është në proces është me Marin Hoxhën. Kam dhe një këngë që po mendoj ta punoj me një artist amerikan të njohur tek publiku atje.