Artisti David Dreshaj ka përgatitur projektin e tij më të fundit, një këngë kushtuar nënës, me titullin“T’kam ty mama”. Kënga është publikuar më 8 Mars, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas.

Producent dhe përgjegjës për muzikën, melodinë dhe beat-in është Darko Dimitrov, ndërsa teksti është punuar nga Elinel, Muma dhe vetë David Dreshaj. Kënga shënon një dedikim të veçantë për nënat. Vetë Davidi është shprehur për projektin:

“Jam i bindur se kjo këngë do të vulosë dhe do të lërë shenjë në karrierën time artistiko-muzikore, dhe me plot gojën mund të them se është njëra nga perlat e krijimtarisë sime. I dedikohet asaj, të dashurës dhe të shtrenjtës sime, nënës, që për mua është heroinë. Unë personalisht e dua shumë dhe shpresoj që emocioni i sinqertë dhe i vërtetë, ndjenjat, dashuria dhe respekti që kam për prindin tim, nënën, të arrijnë deri tek të gjithë ju që më ndiqni, më dëgjoni dhe më doni. Nëse në një copëz apo pjesë të saj të paktën ta gjeni veten diku, unë do të isha njeriu më i lumtur në botë. Sepse, sa është personale, private, mos të them intime si tematikë njëherëshe në jetë dhe prodhim, aq është edhe e përgjithshme dhe e gjithanshme, dhe ka vend që të gjithë ju ta gjeni veten në të.”