Po, është një fakt disi i vërtetë që shumica e projekteve muzikore, kanë si temë dashurinë. E kjo jo vetëm në tregun muzikor shqiptar, por edhe kudo në botë.
Duket se të tilla tema, tërheqin më shumë publikun, mbase sepse janë dhe më të prekshme. Fundja e kush nuk ka dashuruar të paktën një herë në jetë, apo të ketë përjetuar dhe lëndimet e dashurisë?
Pikërisht këtu do të ndalemi pak, tek lëndimet dhe ndarjet… Sepse ndarjet kanë qenë një nga temat kryesore të këngëve në vitin që lamë pas.
Këto projekte nuk është e thënë që të jenë vetëm balada të lehta. Madje Ronela Hajati na dha “TQR”, një këngë që le ta pranojmë se mund të ketë nxjerrë dhe disa emocionet të disave prej nesh…
Luiz Ejlli nga ana tjetër, mban fronin për sjelljen e këngëve romantike të dashurisë, nga dedikimet për partneren e tij, e deri tek vogëlushja e tyre që pritet të vijë në jetë. Një tjetër këngë romantike madje ishte dhe “4”, dedikimi i Klea Hutës për Elgit Dodën në dasmën e tyre. Si përfundim, duket se edhe këtë vit, mbizotërojnë nëpër këngë ‘punët e zemrës’…