Këngëtarja Rea Nuhu ishte e ftuar në emisionin “Back to the Beginning” me Kozeta Kurtin në Top Albania Radio, ku ndau me dëgjuesit rrugëtimin e saj në botën e muzikës. Gjatë bisedës, Rea foli për fillimet e saj artistike, ndikimet muzikore që e kanë formësuar dhe vendosmërinë për të ndërtuar një karrierë autentike në një industri sfiduese. Ajo tregoi se për të, muzika ka qenë gjithmonë një mënyrë e natyrshme shprehjeje, një gjuhë me të cilën ka komunikuar emocionet më të thella dhe përvojat personale.
Rea u shpreh se karriera e saj skenike ka nisur që në moshën 10-vjeçare falë edhe influencës së familjes së saj. Më tej, ajo vijoi:
Përvoja ime me muzikën ka nisur që fëmijë, që 5 vjeç me thënë të drejtën, që kur bëja ato videoklipet me kamerat e vjetra atëherë. Dilja para kameras dhe këndoja këngën e Greta Koçit dhe Erjon Korinit, që e kishte bërë daja. Edhe disa këngë të tjera të dajës dhe performoja para kamerës së asaj kohe. Përvoja e parë skenike ka qenë tek “The Voice Kids Albania” këtu në Top. Ka qenë dalja ime e parë, suksesi im i parë, kujtimi një ndër më të bukurit që kam. Ka qenë një përvojë shumë e bukur se ka qenë një arritje që unë e kam marrë vetë përsipër aq e vogël.
Si arriti ajo të bëhej pjesë e këtij emisioni artistik të rëndësishëm për fëmijët në atë kohë?
Pa lejen e prindërve aplikoj, e shikoj si bëhet nëpërmjet televizorit sepse e nxirrte gjithë kohës reklama. Edhe unë aplikova. E marr mamin për dore tek studiot që kanë qenë afër shkollës sime “Edith Durhami” kur bëheshin audicionet asokohe. I them ‘është një projekt shkolle’. Vjen edhe mami me mua, i thashë ‘duhet të futem vetëm’, edhe kur dal nga dera mami e kishte kuptuar pak a shumë dhe i thashë ‘kalova, do jem tek The Voice Kids’. Lumturi patjetër sepse edhe mami im është marrë me muzikë kështu që më ka mbështetur gjatë gjithë kohës dhe vazhdon edhe më mbështet edhe sot. U prit shumë mirë.
Ky ka qenë vetëm fillimi i një karriere të suksesshme pasi tani Rea jo vetëm këndon në disa ambiente live, por edhe është investuar në krijmtarinë e saj personale, ku së fundmi ka publikuar edhe këngën “Harroje”.
E mendoj se jam në kohën e duhur. Të gjithë më pyesin që ‘pse ke pritur kaq shumë?’. Idea është që unë mendoj se çdo artist do kohën e vet që të stabilizohet në një lloj rryme që të zgjedhi atë që ka qejf, kur ndihet ai gati dhe unë mendoj se tani jam më gati se kurrë për të filluar, për të prodhuar gjëra të reja e të bukura dhe në radhë të parë gjëra që mua më pëlqejnë.