Kapoja është një ndër artistët më aktiv në tregun muzikor shqiptar dhe këtë e tregon më së miri projektet e njëpasnjëshme që ai publikon pasi brenda një periudhe shumë të shkurtër, reperi ka ardhur me disa këngë, qofshin ato bashkëpunime apo këngë “solo”.
Së fundmi artisti i dashur i publikut shqiptar ka vendosur të vijë me një projekt tepër personal. “Se fama edhe paret, nuk janë gjithçka në jetë”, kjo është një ndër frazat që këngëtari i njohur i muzikës shqiptare përmend në projektin e tij më të fundit muzikor të titulluar “Hookah”.
Në tekstin e kësaj këngë, i cili është shkruar nga vetë Capital T, artisti tregon stilin e jetës që ai bën. Ai flet për miqtë e tij por edhe për armiqtë, të cilët kanë dashur ta dëmtojnë.
Ky projekt muzikor është shoqëruar me një video interesante, e cila është punuar nga “Imagine Films”. Në klipin e kësaj këngë, Capital T shfaqet në një avion privat, së bashku me miqtë e tij, ku shfaqet dhe daja e tij, 2po2. Kjo video lë të nëkuptohet se ky është stili i jetës që Kapoja bën, nisur nga fakti që teksti është shkruar nga ai.
Kënga “Hookah” e cila përkthehet nargjile, është mirëpritur nga publiku shqiptar, i cili nuk është ndalur së sugjeruari këtë projekt muzikor që të futet në klasifikim dhe ai ia ka arritur qëllimit duke bërë që kënga jo vetëm të futet por të renditet në vendin e 53-të.
Capital T gjendet në klasifikim me 8 këngë në total, të cilat janë të renditura mjaft mirë në klasifikim. “Kujtime”, “Lejla”, “Pasha jeten”, “Hookah”, “Andiamo”, “Filma”, “Pse po ma lun lojen” dhe “Drama” renditen përkatësisht në vendin e 29-të, 42-të, 48-të, 53-të, 58-të, 70-të, 75-të dhe 87-të.