“Altari Dashurisë” është prurja më e re e Blerina Brakës, një këngë që pritet të shndërrohet në një prej kolonave zanore të shumë dasmave këtë verë. Fansat e kanë mirëpritur këtë prurje të këngëtares dhe menjëherë e kanë bërë pjesë të klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Blerina ka treguar se kjo këngë është punuar rreth një viti më parë por ishte pikërisht tani koha që ai mori formën për t’u publikuar. Ndërkohë që fansat prisnin që kjo këngë të ishte kolona zanore e dasmës së artistes, ajo është shpehur se momentalisht nuk ka në plan të bëjë një ceremoni por më vonë patjetër që do organizojë diçka me njerëzit e saj të dashur.

Ja çfarë thotë ajo në intervistën e saj…

TA: “Altar i dashurise” është projekti juaj më i ri muzikor, sa kohë të është dashur ta përfundosh këtë projekt?

Blerina Braka: Ky projekt ka nisur fiks një vit më parë dhe mendova se tani ishte momenti i duhur për ta publikuar.

TA: Kush janë bashkëpunëtorët tuaj në gjithë këtë projekt?

Blerina Braka: Bashkëpunëtorët e mi jane Gramoz Kozeli, i cili është marrë me muzikën si edhe “Max Production” që ka realizuar klipin.

TA: Si lindi ideja për një këngë që me siguri do të përfaqësojë kërcimin e shumë çifteve që do martohen këtë verë?

Blerina Braka: Unë këngën e kam shkruar vetë, e doja një këngë për dashurine time, për një dashuri të realizuar se zakonisht i këndohen dashurive të humbura. Mua më pëlqen të përcjell pozitivitet. Une uroj dhe do ishte shpërblim i madh për mua që kjo këngë të bëhet pjesë e çdo çifti.

TA: Pse nuk zgjodhët të ishit ju dhe bashkëshorti juaj protagonistët e këtij klipi?

Blerina Braka: Profesioni është profesion dhe familja është familje, im shoq nuk është artist, nëse do ishte, sigurisht që do ishte pjesë e klipit.

TA: Mos ndoshta presim një dasmë nga Blerina këtë verë?

Blerina Braka: Për ceremoninë e dasmës, aktualisht nuk kam një plan konkret ndaj edhe këngën e nxorra. Patjetër që do ta bëj një dasmë ku do të mbledh gjithë njerëzit e mi të dashur.

TA: Pse zgjodhe pikërisht këtë muaj për ta publikuar? Ai është kjo një mënyrë për ta promovuar këngën në kohën kur damsat fillojnë apo thjesht tani u bë gati çdo gjë?

Blerina Braka: Të jem e sinqertë, tani i erdhi momenti plus që korespodon edhe me momentin më të mirë të dasmave pasi kemi verën para.

TA: Publiku të ka bërë pjesë të “The Top List” për herë të parë, si ndiheni për këtë?

Blerina Braka: Ndihem e vlerësuar dhe krenare me këtë balad që ju kam dhuruar. Eshtë muzikë e pastër profesionale, gjë e cila është në mungesë në tregun tonë.

TA: Cili është mesazhi që dëshiron t’ju japësh të gjithë mbështetësve të muzikës tënde?

Blerina Braka: I falenderoj shumë dhe premtoj që do sjell shumë projekte të bukura.