E ftuar në këtë episod të “A Live Night” ishte një artiste me kuptimin e plotë të fjalës. Besa Kokëdhima në një intervistë si asnjëherë më parë, zbulon më shumë nga jeta e saj personale dhe ajo profesionale. Por çfarë është suksesi më i madh për një artiste si Besa?! Ja çfarë zbulon ajo në “A Live Night”.
Mendoj se suksesi im më i madh është që të ndjej atë që kam bërë njerëzit të ndiejnë, që kam parë që njerëzit janë prekur, janë frymëzuar. Mendoj se impakti njerëzor është suksesi më i madh që një artist mund të ketë.
Dhe si është Besa pas kamerave?! Si sillet, si mendon dhe çfarë ndjen ajo kur dritat fiken?! Artistja na zbulon më shumë nga vetja, ndjesitë dhe emocionet e saj, detaje që me siguri jo shumë i njohin.
Unë jam e sinqertë në intervista. Jam një shpirt i lirë. Mendoj se kam gjithnjë një fëmijë brenda vetes dhe jam përpjekur ta ruaj pavarësisht se jeta ka të vetat dhe njeriu maturohet. Jam njeri shumë i ndjeshëm, jam njeri kurioz për botën, dua të lexoj, dua të mësoj. Jam një person privat, shumë i dashur. Njerëzve që u jepem, u jepem me gjithë shpirt. Jam e ndjeshme, jam edhe tekanjoze me njerëzit e afërt.
Ajo na rrëfeu më tepër për fëmijërinë e saj, lidhjen me familjen, dhe çfarë simbolizon ajo për Besën.
Fëmijëria ime ka qenë shumë e lumtur, ka qenë shumëngjyrëshe, ka pasur shumë personazhe në të. Unë kam kaluar disa vite me gjyshen time në Qeparo, dhe atje ishim me shumë kushërinj, mblidheshim të gjithë te gjyshja, me shumë kafshë, me shumë lojëra, me shumë natyrë. Ka qenë shumë e lumtur.
Por si është marrëdhënia e saj me të atin!? Ja çfarë tregon artistja në “A Live Night”!
Marrëdhënia ime me babanë tim është një marrëdhënie thellësisht e ngushtë. Një pjesëz është për shkak se unë kam jetuar një copëzë të fëmijërisë sime në kontekstin zakonor se si ai e ka jetuar. Besoj se kjo është një arsye. Një arsye tjetër është sepse ne kemi disa ngjashmëri karakteriale dhe kemi atë marrëdhënien që pjesën më të madhe të kohës kuptohemi me sy. Kemi qasje të përbashkëta emocionale, jemi të dy njerëz shumë emocional. Për ata që nuk e njohin ai duket pak autoritar, dhe jo lehtësisht i aksesueshëm. Kam dëgjuar njerëz që kështu mendojnë edhe për mua. Edhe pse ata që më njohin e dinë që jam shumë emocionale, jam dhe karakter shumë i fortë edhe pse shumë emocionale.
Mamaja gjithashtu luan një rol shumë të rëndësishëm në jetën e saj. Besa analizon këtë marrëdhënie me të pikërisht në “A Live Night”.
Mami është një natyrë shumë e veçantë. Ka një botë shumë të pasur shpirtërore. Është shumë shakatore. Gjatë jetës së saj i është dashur të mbajë përsipër një peshë shumë të madhe të sfidave të familjes sime, dhe të atyre që babai im ka zgjedhur të jetojë dhe përballojë përgjatë jetës së tij.
Jo vetëm për prindërit, por Besa u shpreh edhe më tepër në lidhje me raportin e saj me motrat.
Jam vajza e parë e prindërve të mi dhe roli ynë është disi, jemi pak aleatë të prindërve tanë. Me Borën ka qenë një marrëdhënie pak më shoqesh me njëra-tjetrën sepse diferenca jonë e moshës është e vogël, edhe pse në rolet familjare diferenca ka qenë shumë më e madhe sesa në vitet që ne kemi në jetë. Bora e ka marrë që herët atë rolin mbrojtës. Me Erën kam pasur që herët një relacion, e kam ndjerë sikur të ishte pak edhe fëmija im. Ajo është një natyrë shumë e dashur. Ka shumë dashuri brenda vetes dhe është esktremisht e zgjuar. Familja është vendi më i sigurtë në një botë të zhurmshme dhe të vrullshme.
Por si hyri muzika në jetën e saj?!
Mbaj mend ndoshta 5 vjeç, ndoshta më herët, mblidhja kushërinjtë në fshat. Kisha një gjë që ngjante si mikrofon dhe këndoja për ta. Këndoja kolonat zanore të kukullave, Michael Jackson, Whitney Houston, Queen. Domethënë vërehej te unë që isha shumë e dhënë, këndoja vazhdimisht. E kam vijuar edhe në 8-vjeçare, atje u pikasa nga mësuesja e muzikës, u vendosa në aktivitete artistike, u përzgjodha si soliste. Nuk besoj se në atë kohë kisha një botëkuptim të plotë se çfarë do të thoshte që muzika të ishte profesion. Është si ajo gjëja që ti e di që e do, por nuk e kupton në atë moment saktësisht se çfarë nënkupton ta kesh profesion.
E kanë përkrahur prindërit në këtë rrugëtim drejt muzikës?! Ja çfarë tregon Besa Kokëshima për “A Live Night”!
Kur unë fillova aktivitetet e para, prindërit e mi nuk është se ‘po shkulnin flokët nga gëzimi’. Unë e kuptoj sot pak më ndryshe, sepse kur isha e vogël pyesja pse nuk më mbështesin. Sidomos prindër që nuk janë muzikantë nuk dinë sa talent ka fëmija, e si të sillen. Pasi sigurohen që ke talent, vjen pyetja numër dy, që është sa funksionale është një karrierë e tillë në vendin tonë, si e bën jetën një artist, sepse kur e kthen diçka në profesion, ka plot të dhëna të tjera që duhen konsideruar.
Një artiste me kuptimin e plotë të fjalës, Besa na ka bërë krenarë që herët nëpër botë, teksa gjatë qëndrimit në Angli, ajo ishte e para studente që ka kënduar në një gjuhë që nuk ishte anglisht.
Unë kam ikur për të bërë gjimnazin në Angli. Atje gjithashtu u përfshiva në aktivitete muzikore, në mësime piano, në aktivitete artistike. Muzika në atë moment për mua përveç pasionit, ishte edhe një nevojë, sepse udhëtimi im në atë moment nuk ishte i thjeshtë, ndoshta për shkak të moshës, largësisë me familjen. Jeta atje është pak si nëpër filma, ka bullizëm si nëpër filma. Nuk je plotësisht i mirëpritur në shoqërinë e tyre, përveç faktit që aty ka multikulturalizëm dhe studentë internacionalë. Me vështirësi e gjeta veten, ndjehesha shumë e vetmuar. Kaloja shumë orë duke i rënë pianos, duke kënduar, u përfshiva në aktivitet artistike. Fitova çmimin e parë në Angli dhe isha e vetmja studente që këndova në gjuhën shqipe, ose më saktë që këndoi në një gjuhë që nuk ishte anglisht.
Një artiste me kuptimin e plotë të fjalës, ndër të tjera, Besa ka folur edhe nëse e ka konsideruar pjesëmarrjen në Eurovision.
E kam menduar gjithmonë që unë do e di që është kënga e duhur sepse edhe ekuacioni për këngën atje nuk është kaq i thjeshtë. Formula që ne kemi është pak e çuditshme. Megjithatë në këtë moment që unë e kam bërë një album që është në Francë dhe në Los Angeles, mund ta konsideroj sepse gjithmonë kështu e kam imagjinuar që një pjesëmarrje e tillë duhet të ketë lidhje me shumë gjëra, edhe me promovimin e artistit, edhe me promovimin e diçkaje më gjërë. Duhet punuar pak në detaje edhe me stafet, edhe me qëllimin që ti ke duke e çuar një material atje. Nuk po flas tashmë vetëm për artistin…
Çfarë është muzika për Besën?!
Muzika ka një fuqi të jashtëzakonshme sepse komunikon, nuk ka barriera dhe komunikon ndërgjuhësisht. Çdo njeri, çdo cep të planetit, është në gjendje të preket të marrë një mesazh, një emocion, qoftë edhe nga një copëzë muzikore, apo nga një zë që atë e prek, apo një interpretim.
Dhe cili ishte çasti final kur artistja e kuptoi se muzika do të kthehej nga pasion i saj në një profesion?! Ja çfarë zbulon ajo në “A Live Night”!
Në fakt unë e kam filluar jo me mendimin që unë tani po nis një karrierë sepse unë nuk isha këtu. Unë isha në Angli dhe thjesht dëshira ime ishte e jashtëzakonshme. Kur këto dëshira dhe këto pasione dëshiron t’i shfaqësh sa më shpejt, t’i tregosh botës emocionet, talentin që ti mendon se ke. Kështu ndodhi, u ktheva, regjistrova, më pëlqeu shumë procesi i të bërit këngën, e ndjeja, mendoja që kjo është ajo gjëja që më jep adrenalinë, më pëlqen ta bëj prapë. Kur unë u ktheva përfundimisht, nuk e dija që ishte përfundimisht, ishte përkohësisht, por atje fillova intensivisht të punuarit për albumin tim të parë. Emocioni që ndjeja ndërkohë që punoja, nga studio në studio, me disa artistë kompozitorë të ndryshëm. Ishte shumë i bukur, më bënte të ndihesha gjallë, dëshiroja të sillja risitë muzikore që unë ndiqja atëhere. Në albumin tim të parë kishte një shumëllojshmëri rrymash, që besoj disa prej të cilave ishin një risi në muzikën shqiptare sepse muzika shqiptare dhe interpretueset vajza të brezit pararendës ishin në kontekstin pak më klasik.
E pyetur në lidhje me Top Fest, dhe risinë që kanë sjellë rrjetet sociale dhe zhvillimet teknologjike në karrierën e një artisti, ja si shprehet Besa.
Top Fest ka sjëllë artistë të rinj, frymë të re… Unë mendoj se YouTube dhe rrjetet sociale e kanë mundësuar që artistët të kenë një kontakt më direkt me publikun e tyre. Por në mënyrë substanciale unë mendoj se këta janë investitorë, Top Fest ka qenë investues. Top Fest kishte një fokus tek artistët e rinj. Sot kërkesa dhe fokusi i artistit është i lidhur disi në mënyrë direkte vetëm se çfarë audienca blen.
Por cilat kanë qenë momentet më të rëndësishme të artistes?!
Momentet më të rëndësishme në karrierën time, është Top Fest 8 që ka qenë një moment i jashtëzakonshëm për mua, edhe mendoj për rrugëtimin tim artistik. Mendoj se viti 2013 gjithashtu në Këngë Magjike, mendoj “Amelia” që kam publikuar në Rumani edhe pse suksesin e ka marrë së fundmi. Unë kur e kam publikuar nuk e kam ditur që do të bëhej kaq virale disa vite me vonë pasi të krijohej një platformë që atëhere nuk ekzistonte.
Një tjetër pikë kyçe që Besa spikat është gjithashtu The Voice.
Ka plot momente shumë të bukura në karrierën time dhe shumë të spikatura. Të rëndësishme mendoj që cdo shkallë që ti hedh është e rëndësihme sepse të çon diku tjetër. E rëndësishme për mua ka qenë shumë eksperienca e The Voice, ka qenë një eksperiencë e mrekullueshme për mua. Përgjatë rrugëtimit unë kam shumë dëshirë të punoj me të rinjtë. I adhuroj talentet e reja. Jam njeri shumë emcional dhe përfshihem emocionalisht. Më duket sikur duhet t’i mbroj, t’i ndihmoj… Është një show me emocione shumë të forta, sepse jemi duke folur për shanset që i jepen një njeriu që të mund të ndryshojë karrierën edhe jetën.
Ne e konsiderojmë me plot gojë një artiste të suksesshme, por çfarë konsideron sukses vetë Besa?!
E suksesshme. Çështja e suksesit është relative. Gjithmonë është objektivi lëvizës, dhe është gjithmonë një objektiv më tutje. Sapo mbërrin një objektiv, mendon çfarë ndodh më pas. Në Shqipëri ka edhe limite, se deri ku mund të arrish, deri çfarë të mund të fitosh…
Por cili ishte momenti kur Besa vendosi se ajo është gati për diçka të re në jetën e saj, për emocione të reja?!
Kështu ndodhi me mua, erdhi një moment që u ndjeva që nuk kisha edhe shumë se çfarë të bëja. Industria shqiptare e muzikës nuk është ekzaktësisht një industri muzike sepse mungojnë rregullimet dhe mekanizmi është i paplotë dhe jofunksional. Nëse do të ishte plotësisht autonom dhe sigurisht që në qoftë se do të ishte një treg i cili suksesi do të përkthehej në të ardhura, do të ishte sukses dhe arritjet do të përktheshin në turne, në të ardhurat vjetore siç renditen artistët botërorë. Kjo nuk është vetëm problem menaxhimi dhe problem ligjor, kjo është edhe sepse ne jemi një treg i vogël, dhe një treg i vogël nuk konsumon mjaftueshmërisht sa për të mbajtur një industri të tërë në lojë.
Duket se, veç muzikës, Besa ka pëlqime dhe pasione të tjera, teksa në “A Live Night” ka zbuluar se ka studiuar për diçka mjaft larg muzikës dhe artit.
Unë kam studiuar biznes ekonomi, ndoshta pak për të balancuar ‘background-in’ e familjes sime në raport me zgjedhjen e karrierës sime. Besoj se ndoshta është kjo. Ndoshta edhe për faktin se unë kam patur arritje akademike shumë të mira dhe kam menduar se duke qenë një familje biznesi të dish diçka nga biznesi do të ishte mirë.
E duke folur për peshën e familjes dhe të mbiemrit të saj, Besa zbulon nëse e ka penguar apo e ka bërë të paragjykohet pikërisht ky mbiemër.
Do ishte e pashmangshme sepse nuk është çështja vetëm në karrierën time, por unë jam nënprodukt njerëzor i prindërve të mi. Mendoj se paragjykimet i kam ndjerë në fillimet e mia, pastaj nuk i kam ndjerë më sepse kur ti duhet të këndosh ti nuk do ia japësh mikrofonin askujt. Secili në fund të ditës i del për zot asaj që është, profesioni i tij. Besoj se njerëzit dhe inteligjenca kolektive dhe perceptueshmëria kolektive e publikut është shumë e lartë.
Duke rrëfyer për gjithçka, nga jeta personale deri te karriera, Besa na njohu më shumë më një anë tjetër të personalitetit të saj.
Një element që nuk e di a më bën krenare, por mendoj se është siç duhet, është ndjeshmëria ime ndaj njerëzve të tjerë, ndaj personalitetit të njerëzve të tjerë, ndaj qenieve të tjera, ndaj natyrës, ndaj të bukurës, ndaj të drejtës. Një gjë tjetër është që i marr gjërat shumë seriozisht. Të dyja këto elemente që përmenda janë po aq pozitive, sa edhe mund të jenë disi negative sepse prodhojnë një stres të caktuar tek unë. Patjetër që është pak më e thjeshtë kur je pak më sportive.
Por si erdhi vendimi për t’u zhvendosur në Francë?! Besa Kokëdhima zbulon gjithçka në “A Live Night”!
Vendimi për t’u zhvendosur në Francë, mendoj se kishte disi kohë që kishte ndodhur brenda meje një proces vetëanalize të pozicionimit tim në muzikë në Shqipëri, dhe deri diku pjesa e frymëzimit për më tej ishte pak e cunguar dhe nuk arrija vërtet të shikoja se çfarë do të kishte qenë hapi i radhës. Kisha dëshirë në një mënyrë edhe disi të arratisesha, kisha nevojë për emocione të reja. Më në fund unë firmosa një kontratë diskografike dhe kam realizuar albumin në Francë që është gjysmë frëngjisht gjysmë anglisht. Kam një menaxhment atje, kam grupin tim investues, menaxhues. Janë njerëz që unë jam lumturuar dhe befasuar që ata besojnë tek unë. Kjo gjë për mua ka qenë shumë domethënëse. Në momentin që ndodhën problemet me pandeminë u vonuan shumë gjërat. Shpresoj që faza e promovimit dhe publikimit të ndodhë shpejt mjaftueshëm.
Duke marrë shkasë nga kënga “C’est la Vie”, Besa jep një mesazh të fortë.
Shumë herë çfarë kam hasur unë është që viktimat kanë vështirësinë e të ecurit përpara sepse kanë ndjenja për njerëzit të cilët i viktimizojnë. Jeta është ajo e përditshmja, ajo që ne vazhdojmë ndërkohë që bëjmë plane. Në momentin që ato reflektojnë mbi jetën e tyre kuptojnë që në të vërtetë jeta kjo është, dhe se do të duhet të ecin përpara duke peshuar lëndimin dhe të keqen që i është bërë.
Një artiste me kuptimin e plotë të fjalës, me anë të muzikës që bën duhet të përcjellë shumë mesazhe. Ja si e shpjegon këtë Besa Kokëdhima.
Unë mendoj se artisti është e pamundur, gati e pashmangshme të mos ndjejë dhe të mos ketë qasje dhe qëndrime edhe për çështje sociale, për ato që e rrethojnë në shoqërinë ku ai jeton. Në Shqipëri ka vend për përmirësim. Unë mendoj se për një artist është shumë e rëndësihme të përdorë zërin e tij për kauza sociale, për gjithçka që ai beson se një fokus shoqëror është i nevojshëm. Nuk duhet të jetë gjithçka vetëm rreth meje, sepse mua më duket vetja si një mjet nga i cili kalon një mesazh i pasqyrimit të asaj që unë shoh, dëgjoj, më dhemb. Kështu që në këtë kontekst ne për artin tonë duhet të kemi një dimension më të thellë, më të vërtetë, më të qenësishëm. Si mund të mos jetë një artist i përfshirë?! Ti je produkti i një shoqërie. Përfshirja ime dhe mbështetja ime ka qenë për kafshët në nevojë, për të gjitha kauzat që i kam vlerësuar të drejta. Mendoj se të gjithë njerëzit e kanë mundësinë që ta bëjnë. Solidariteti është ajo që e mban. Në karrierën time të gjatë dhe në punë me profesionistë të ndryshëm, secili ka një ndihmesë, një kontribut. Unë mendoj se të gjithë njerëzit kanë vlerë të jashtëzakonshme në historikun e karrierës së një njeriu apo edhe historikun e jetës së një njeriu.
Ndër të tjera, Besa tregoi edhe periudhën e vështirë që ajo dhe familja e saj kaloi, teksa babai ishte i prekur nga koronavirusi.
Babain tim e zuri covid-i dhe e kaloi në mënyrën më të rëndë të mundshme. Kemi kaluar një periudhë të tmerrshme. Të udhëtuarit në ato momente ishte shumë e vështirë dhe unë isha në Francë… Një pjesë e informacionit transmetohej, një pjesë nuk transmetohej. Isha vetëm unë me mamin atje dhe ishim shumë të frikësuara, u përpoqëm të bënim më të mirën. Mami arriti u fut në dhomë me të edhe pse nuk lejohej. Në një nga mbrëmjet pati një moment ku oksigjeni kishte rënë shumë dhe sigurisht që të gjithë njerëzit e dinë, dhe shumë njerëz nuk janë më këtu. Jam shumë falenderuese Zotit…
Por si ndikojnë rrjetet sociale në karierën e një artisti sot?!
Kam qenë dhe jam në industrinë e muzikës në Shqipëri për një kohë të gjatë saqë të kem kaluar pozitivitetin, promovimin e sinqertë, mungesën e filtrimit. Mendoj se është e pashmangshme sepse kjo është që ndodhi që kur u krijuan rrjetet sociale, u zhvendos fuqia… Çdo njeri është një media e vogël sociale. Çështja e mediave është se duket sikur ka liri të tepruar. Në fakt në Shqipëri nuk ka liri të tepruar. Personalisht mendoj se kam pas qenë më e ndjeshme. Është e pashmangshme nëse do të qëndrosh dhe të përballesh duhet ose të mos i shikosh, ose t’i shikosh dhe t’i marrësh me sportivititet. Unë mendoj se artistët janë qenie të ndjeshme. Qeniet e ndjeshme janë më të pasigurta. Nën prozhektorë përpiqen të duken më së miri, bëjnë përpjekje për t’u dukur më së miri, për të qenë të spikaturit e stilit. Rrjetet sociale dhe zhvillimet teknologjike e kanë ndihmuar median e çdokujt. I kanë afruar njerëzit me artistët, e kanë bërë jetën më komode. Por e kanë bërë edhe shumë më stresuese… Artistët nuk janë aspak perfektë, janë plotësisht njerëzorë.
Dhe çfarë do t’i thoshte Besa Kokëdhima Besës 16-vjeçare!? Artistja e ka një përgjigje për “A Live Night”!
Nëse do mund t’i flisja vetes sime 16-veçare, do i thoja: ji vetvetja, jo gjithçka që shkëlqen është ar, mos u dëshpëro asnjëherë kur gjërat nuk shkojnë siç ti mendon që janë të drejta. Unë nuk bëj pjesë te njerëzit që thonë – unë nuk do bëja asnjë gjë ndryshe. Një njeri në jetë do të kishte mundësinë të dinte gjithçka që di dhe nuk do i bënte ndryshe?! Absolutisht do bëje shumë gjëra ndryshe. Unë jam perfeksioniste, por nuk jam perfekte…