Bardhi ka publikuar së fundmi këngën e tij më të re, të titulluar “Qikes teme,” një projekt muzikor që ka ngjallur shumë reagime në publik. Nëpërmjet vargjeve të këngës, Bardhi shpreh vështirësitë e tij financiare dhe sfidat që ka hasur në karrierë, duke përmendur ish-menaxherët që kanë ndikuar negativisht në të ardhurat e tij.
Këngëtari rrëfen se ndodhet në një situatë të vështirë, duke theksuar se nuk ka mundur të sigurojë para as për qiranë. Sipas Bardhit, problemi ka nisur pas largimit nga BBVA, ku ish-menaxherët e tij kanë anuluar koncertet e tij, duke e lënë pa burime të ardhurash.
Gjatë një interviste ai ka ndarë detaje të tjera nga jeta e tij, duke theksuar se partnerja e tij, Sara, ka qenë ajo që ka mbajtur familjen në këtë periudhë të vështirë. Ai gjithashtu përmend se nuk ka pasur mundësi as për të blerë vitamina. Bardhi thekson se publiku shpeshherë i sheh artistët si të pasur, ndërsa ai, si kryefamiljar, ka përjetuar dhimbjen e mosmundësisë për të siguruar të ardhurat e nevojshme për familjen.
“Kënga është për të. Nesër, kur të rritet çika dhe të dëgjojë një histori të keqe për babanë e saj, le ta marrë një mësim nga unë. Mesazhi i dytë ka qenë për të gjitha familjet që nuk kanë mundësi. Na shohin si artistë dhe mendojnë që jemi milionerë. Kur është shkruar kënga, nuk kam qenë duke punuar, nuk kam pasur koncerte. Sara ka punuar, unë jo, nuk kam mundur as vitamina t’i blej. Si kryefamiljar, e kam ndjerë dhimbjen përse nuk kam mundur t’i siguroj”, tha Bardhi.