I ftuar në emisionin “Back to the Beginning” në Top Albania Radio ka qenë Aurel Thëllimi. Artisti i mirënjohur, bariton i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, njihet jo vetëm për interpretimet e tij operistike, por edhe për aftësinë e veçantë në muzikën e lehtë.
Duke qenë se tashmë u bënë disa vite që ai është pjesë e teatrit dhe ka një kontribut të madh në botën artistike, si e sheh Aureli drejtimin e një institucioni? Mund të jetë diçka që ai e merr përsipër, apo e sheh si një kufizim të jetës së tij artistike?
Me logjikë do e bëja për t’i dhënë atij institucioni atë Aurelin që si do e shikoj unë institucionin sepse në fund të fundit unë jam lindur artist. Kam që në moshën 4-vjeçare që kam kënduar opera. Ka qenë fat. I rritur me rregulla artistike sepse në fund të fundit është një profesion që ka rregulla strikte dhe unë do doja që secili nga ne ta mësonte veten në këtë mënyrë sepse ndonjëherë orientimi i drejtë i një institucioni bën që ti të kthehesh në histori. Ne kemi nevojë që të lëmë vlera. Kemi jetuar dhe jemi kalimtarë në jetë, jo vetëm për të lënë 3 minuta këngë të bukura, për të dhënë mendime të bukura, por për të dhënë vlera reale dhe secili prej nesh duhet ta eksplorojë këtë gjë sepse mund të kthehesh në histori.
Përsa i përket projekteve të tij në muzikë, sa e vështirë është për të si artist që të gjejë fjalët e duhura për të krijuar një këngë?
Në përgjithësi jam pak natyrë supersticioze dhe këtë radhë thashë që këtë herë Zoti donte që unë të nxirrja një këngë të saktë, e thënë me fjalë ashtu siç do doja unë. E kam falenderuar Anxhela Peristerin që ka shkruar këtë tekst dhe ky tekst ka lindur në këtë mënyrë. I kam thënë ‘Anxhela, si e shikon burrin ti?’ sepse kjo vërtetë e ka titullin ‘Grua’, por flet për burrat që vërtetë dinë të dashurojnë. Gjithmonë i është dhënë rëndësi anës spirituale të vajzës sikur ajo dashuron me tërë forcën, sikur ajo është shumë e pastër, sikur dashuria vetëm ka qenë e njëanshme, sikur vetëm ajo lëndohet, por jo. Unë mendoj që të dyja sekset, edhe seksi mashkull, edhe seksi femër, kur dashuron, dashuron me të njëjtën fuqi.
Si ka ardhur ky projekt tek burrat, edhe pse siç artisti e shpjegoi mban titullin ‘Grua’?
Kjo këngë ka depërtuar në shumë burra, në shumë mosha dhe ky është suksesi i kësaj kënge se ndonjëherë këngët deportojnë në mosha të caktuara, kurse kjo ka prekur çdo brez. E them edhe në këtë mënyrë sepse do doja shumë që ta dëgjonte edhe babai im këtë këngë që ju përkushtua nënës sime gjithë jetën dhe punoi, investoi dhe nuk e tradhtoi kurrë.