Para pak ditësh, të ftuar në “Lancio” në Top Albania Radio, ishin këngëtarja Aroilda dhe kitaristi Brian. Dyshja jo vetëm që bashkëpunojnë në muzikë, por janë edhe partnerë në jetën e tyre. Ata treguan shumëçka nisur nga fillimet e karrierës së tyre e deri te planet e së ardhmes.
Prej sa kohësh bashkëpunojnë në muzikë?
Që bashkëpunojmë rregullisht kemi 4 vite. Dikur kanë qenë më të rralla mbrëmjet muzikore se kemi qenë në fillime.
Kënga më e fundit e Aroildës është “Babë e bij’”, një këngë e dedikuar për të atin e saj dhe me të vërtetë shumë emocionuese. Këngëtarja na zbulon më shumë si i lindi ideja për këtë projekt.
‘Bab e bij’ flet për marrëdhënien e vajzës me të atin siç kuptohet edhe nga titulli. Unë në fakt ja kam dedikuar babait tim, por është edhe një dedikim për të gjithë vajzat që kanë një marrëdhënie shumë të fortë me baballarët. Ja kam dedikuar babait për 50- vjetorin e lindjes. Mbetet një nga këngët më të dashura për mua. Sado projekte të tjera të bëj nuk do krahasohen me të.
E si e ka pritur publiku këtë këngë të Aroildës?
Po të flasim nga ana e klikimeve, ka ecur më mirë se çdo projekt tjetër me thënë të drejtën. Ndoshta është edhe fakti që është këngë më emocionale. Por, edhe “E din ai” është pëlqyer shumë.
Aroilda dhe Briani zbuluan gjithashtu edhe fillimet e karrierës dhe si e zbuluan talentin e tyre në muzikë. Aroilda shprehet:
Historia ime me zbulimin e talentit ka qenë shumë e çuditshme. Unë kam jetuar në Laç dhe atje erdhi një profesor muzike dhe për fatin tim të keq atë ditë nuk kisha zë dhe nuk munda të provohesha. Pastaj shkova te Pallati i Kulturës se ishte një provë e dytë. Aty isha pak e ndrojtur dhe nuk e bëra as atje provën. Pastaj kur erdha në Tiranë, vendosa vetë të bëja një konkurs dhe më thanë që ke talent. Po edhe më përpara shkruaja këngë vetë, pavarësisht se isha e vogël. Vazhdova pastaj kurse kanto.
Ndërsa Brian tregon se:
Kam patur një grup ‘rock-u’ kur kam qenë në klasë të tetë deri në vit të dytë. Luanim ‘rock’ që shumica e njerëzve nuk i njihnin këngët, pak të fortë. Me atë gjë nuk bëje lekë dhe e lashë fare.
Cilat janë planet e së ardhmes për dyshen?
Së shpejti, ndoshta nga vera mund të sjellë ndonjë projekt, kësaj here mund të jetë bashkëpunim. Mund të jetë me Brianin.