Pas një pauze të gjatë në muzikë, prej disa vitesh, Argjentina Ramosaj është rikthyer me një projekt të ri muzikor. Ndërkohë që këngëtarja gjatë kësaj periudhe, i është dedikur jetës së saj familjare, fansat vazhdimisht kanë qënë në pritje të diçkaje të re nga ajo.

Dhe momenti i shumëpritur erdhi! “Pse”” titullohet kënga me e re e këngëtares, e cila e ka sjellë Argjentinën sërish një romantike të ëmbël, e publikuar më 2 mars.

Me muzikë të shtëpisë diskografike “Cricket” dhe tekst të Yll Limanit dhe Elhaid Cufi, ky projekt muzikor është pritur mjaft mirë nga publiku shqiptar. Përveç komenteve pozitive që ka patur për performancën e këngëtares në këtë projekt, vlerësim të madh ka marrë edhe videoklipi i këngës, i cili është xhiruar në Valbonë.

Që në javën e parë të publikimit, “Pse” është bërë menjëherë pjesë e klasifikimit të “The Top List”, duke u pozicionuar në vendin e 15-të.