Argjend Gjigja, një nga artistët më të rinj e të talentuar të tregut muzikor, ka qenë i ftuar në studion e “Live From Tirana” për të folur më shumë për projektet e tij të fundit. “Tolerom” dhe “Indigo” janë të dyja këngët me të cilat ai pozicionohet në “The Top List” dhe që janë përqafuar goxha nga publiku.
Si lindi “Indigo”, kënga jote e fundit?
“Indigo” ka dy kuptime. E para është një ngjyrë specifike dhe neutrale, si dhe kuptimi i dytë që janë persona me veçori të tyre të veçanta. Më pëlqen t’i nxjerr nga kutia e normales, edhe miqtë e mi përbëhen më shumë nga ky grup. Klipi është realizuar në Berlin. Thashë të ndjekim diçka më të thjeshtë sepse dua të promovoj më shumë këngën si një artist i ri që jam. Me kalimin e kohës mund të bëjmë edhe diçka komerciale.
Cila është rryma jote e preferuar muzikore?
Jam shumë eksperimental, por ajo që dëgjoj më shpesh është etno, jo folk por etno që është pak më burimore. Siç është tek intro e “Tolerom”.
Kemi ndonjë projekt të ri së shpejti?
Jam në përpilim të disa projekteve, janë në proces e sipër. Po punoj një këngë shumë personale, të madhe për mua, me një histori personale. Është aq personale sa nuk po e bëj për treg, por për veten time. Është një tregim jetësor i imi dhe dua që ta ndiejnë edhe të tjerët. Është këngë më sensitive, aspak verore. Mendoj se në vjeshtë apo dimër do të dalë.
Do doje të vije me një bashkëpunim me ndonjë artist?
Muzikën e kam nisur me pasion, jo si biznes. Jam i hapur për bashkëpunime, por kam ndaluar së përmendur emra sepse në vendin tonë kaq të vogël, me muzikë nuk po zëmë territor të madh dhe duhet të jemi më të hapur për bashkëpunime. Ka artistë që i vleresoj shumë dhe kam mësuar gjuhën shqipe që nuk ka qenë në këtë nivel që është sot, me muzikën e tyre. Alban Skënderaj nuk më ka zhgënjyer asnjëherë si artist, pastaj Vedat Ademi që do doja të rikthejë tingujt e tij të dikurshëm, është dhe Armend Rexhepagiqi, ka shumë…