Këngëtarja e njohur Anxhela Peristeri ishte në studion e “Live From Tirana” në Top Albania Radio për të na folur më shumë rreth mini albumit të saj i cili përbëhet nga 5 këngë, ku artistja ka ardhur edhe me lajka, edhe lozonjare. Këto këngë Anxhela pritet t’i këndojë së shpejti në koncertin e saj recital të titulluar “Aromë Gruaje”.

Fillimisht, si ka nisur e gjithë gjëja për Anxhelën?

Pas Eurovizionit doja të bëja disa këngë të cilat do flinin në zemrën time. Doja të ishin këngë artistike dhe dashurie, të denjë për një koncert recital. Njerëzit mua që në fillim të karrierës më ndjekin dhe më kanë qejf në baladat që unë bëj.

Balada më e arrirë e Anxhelës?

“Ishe mbret”, akoma më vinë mesazhe edhe sot e kësaj dite që më thonë: ‘Si kjo këngë nuk do të bësh më kurrë’ dhe unë personalisht e mendoj kështu. (qesh)

Sa i përket këngës “N’Tiranë”, çfarë e gjen Anxhelën në Tiranë?

Shumë gjëra, zgjohem, dashurohem, këndoj, mërzitem, qaj dhe qesh.

Sa i përket këngës “Jemi larg”, si është të jesh muza frymëzuese e Armend Rexhepagiqit?

Armendi është shumë artist dhe për shumë këngëtarë është e vështirë të punohet me të. Është artist që duhet ta lesh të krijojë pa i ndërhyrë në punë. Ja mirëbesoj totalisht materialet atij.

Çfarë i ka munguar më së shumti Anxhelës kur ka qenë larg?

Fillimisht ishte një lehtësim për mua sepse jetoja pa familjen dhe në fillim dukej qejf por pastaj pata vështirësi për të depërtuar në tregun muzikor grek sepse nuk dija as gjuhën, kam pasur edhe paragjykime dhe kam thënë: ‘çfarë desha që erdha’. Por ishte periudhë e shkurtër sepse vazhdimi ka qenë i bukur.

Kënga “Lajkat”, çfarë nuk duron Anxhela te partneri, lajkat ndoshta?!

Kur është fodull, i pëlqen vetja, xhelozinë dhe gënjeshtrat.

Kënga “Me ty do dehem” e cila vjen e kompozuar nga vet artistja…

Kam kompozuar gjithmonë por nuk e kam vendosur emrin tim sepse kam patur komplekse. Tekstshkruese kam qenë gjithmonë por tani kam 4-5 vjet që edhe kompozoj.

Kënga “Lozonjare”, mos vallë është një këngë autobiografike e Anxhelës?

Kam lindur lozonjare dhe më pëlqen të jem, kështu e kam patur karakterin që në adoleshencën time dhe thash pse mos t’i bëjë një këngë vetes. 

Ndërkaq, a ka patur komente për këtë album?

Kam vënë re që ndjekësit e huaj e pëlqejnë muzikën shqiptare dhe këto gjëra që për ta janë si të reja i mirëpresin dhe i duan shumë. Nuk kam marrë komente të këqija.

Sa i përket pjesëmarrjes së Anxhelës si anëtare jurie ne Festivalin e RTSH ku fituese u shpall Ronela Hajati, si ka qenë për të e gjithë kjo eksperiencë?

Si anëtare jurie është gjithmonë shumë e vështirë jo për faktin se do vendosësh se kush do e fitojë, por për faktin se ke njerëz që të njohin, këngëtar që thonë: ‘mua nuk ma dha’, kjo gjëja duhet të largohet nga opinioni. Unë personalisht kam marrë pjesë në shumë festivale dhe kurrë nuk kam kapur një koleg duke i thënë se pse më ke votuar, pse nuk më ke votuar sepse mendoj që fakti që vlerësohesh ose jo është se ke bërë ose nuk ke bërë diçka. Këtë vit më pëlqeu festivali, ishte dinjitoz, prezantuesit shumë të mirë, kishte këngë të bukura, nuk mund të them që pati prurje ‘obobo’. Për Ronelën e kemi thënë mendimin tonë, kemi votuar për vendin e parë.

Ndërkaq, Anxhela na zbulon më shumë rreth koncertit recital të saj:

Do të jetë në datën 1 prill në Teatrin e Operas dhe Baletit. Faktor kryesor është albumi, jemi përpjekur të bëjmë një super program për njerëzit që do të vinë aty. Më pëlqejnë koncertet recitale sepse në koncertet që kam patur në dimër apo verë nuk më është dhënë mundësia të këndoj ato që dua të këndoj dhe kështu sjellja e këtij koncerti më jep mundësinë mua të shfaq talentin tim maksimalisht dhe ndjekësit të dëgjojnë çdo këngë timen dhe ta shijojnë. Do të ketë këngë ‘single’ dhe kolazhe. Quhet “Aromë gruaje” sepse doja që këto këngë t’ja dedikoja grave, është një recital për të kuptuar forcën dhe ndjenjën e tyre. Është një skuadër e madhe që po punon që nga orkestra, falenderoj Kozeta Kurtin e cila po merret pothuajse me të gjitha gjërat. Sonte del dhe promo e koncertit dhe njerëzit mund të rezervojnë biletën e tyre.