Anxhela Peristeri padyshim që është një nga këngëtaret më të talentuara shqiptare dhe me një zë shumë të fuqishëm që rrallë na ndodh ta dëgjojmë në tregun muzikor.

Duket se Anxhela po bëhet gjithnjë e më aktive në muzikë duke sjellë projekte të reja. Më 29 janar të këtij viti, këngëtarja Anxhela Peristeri publikoi videoklipin e këngës “N’Tiranë”. Muzika dhe teksti i këngës janë punuar nga vetë këngëtarja Anxhela Peristeri, ndërsa për produksionin muzikor është kujdesur Darko Dimitrov. Menjëherë pas kësaj kënge, ajo solli për publikun e gjerë, albumin muzikor me të njëjtin titull “N’Tiranë”.

Tashmë një tjetër këngë e saj nga ky album i bashkohet klasifikimit të 100 këngëve më të mira shqiptare. Bëhet fjalë për “Lozonjare”, e cila është një hyrje e re e kësaj jave në “The Top List”.

Teksti dhe muzika është realizuar nga vetë artistja e talentuar. Kjo është kënga e saj e dytë që renditet në Top 100. “Lozonjare” pozicionohet në vend të 44-të të listës. Nga ana tjetër “N’Tiranë” e cila iu bashkua javës së kaluar “The Top List”, renditet në vend të 76-të, 12 vende më lart nga java e shkuar.