Një tjetër artiste do të sjellë motivet e këngës shqiptare në skenën e “The Voice of Albania” mbrëmjen e sotme, duke e transformuar çerekfinalen në një spektakël magjik.
Ajo u shndërrua në një fenomen në klasifikimin e “The Top List” pasi, që në javën e parë, arriti të qëndronte në krye të listës, një pozicion të cilin e mbajti për disa javë rresht. Bëhet fjalë për Andrra-n emri i vërtetë i së cilës është Fatime Kosumi, një këngëtare, tekstshkruese dhe regjisore e lindur në Gjermani ndërsa prindërit e saj janë me origjinë nga Kosova.
“Kalle Llamen” është kënga e parë e albumit të ardhshëm të Andrrës, “Palinë”. E publikuar në fillim të muajit janar, kjo këngë ka mundur të qëndrojë për 17 javë në listën e “Top Awards”, falë stilit të veçantë në muzikë dhe historisë që kjo këngë mbart.
“Kalle Llamen” tregon historinë e një vajze 14-vjeçare, e cila është martuar nga prindërit e saj, një histori ku shumë femra në Shqipëri, e kanë përjetuar martesën që në fëmijëri.
Kjo është hera e parë për Andrrën që performon në një skenë shqiptare. Ajo do të sjellë për të gjithë fansat, për herë të parë “live” këngën e saj te suksesshme “Kalle Llamen”.