Për dy javë rresht ajo arriti të mbante kreun e klasifikimit të “The Top List”. Ndërkohë që kanë kaluar 10 javë që nga koha kur projekti muzikor i Andrra-s, “Kalle Llamën” u bë pjesë e klasifikimit të muzikës më të bukur moderne shqiptare, kjo javë ka rezultuar e suksesshme për artisten.
Kënga, e cila në vetëvete mbart një histori të veçantë, është rikthyer përsëri në qendër të vëmendjes. Gjatë kësaj jave, “Kalle Llamën”, është ngjitur me plot 27 pozicione, duke zënë vendin e 10-të.
Ngjitja e këtij projekti muzikor ka përkuar dukshëm edhe me 8-Marsin, Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Duket se për shkak të historisë që kjo këngë trajton, atë të martesave të femrave shqiptare që në moshë të vogël, fansat nuk kanë rreshtur se votuari këtë këngë, si një formë proteste pasi ky fenomen ende është i mundshëm në disa vende në Shqipëri.
“Kalle Llamen” është pjesë e albumit të parë të Andrra-s, emri i vërtetë i së cilës është Fatime Kosumi. Ky album i titulluar “PALINE” përmban 5 këngë me dialekte të ndryshme shqiptare që tregojnë historinë e një vajze 14-vjeçare të quajtur Palinë. Që në momentin që Palina e kupton që e kanë fejuar dhe deri në momentin që mbërrin tek burri. Gjithë kjo tregohet përmes këtyre 5 këngëve. 5 këngë nga 5 troje shqiptare që i dedikohen Palinës.