Një nga këngëtarët më të rinj të tregut muzikor, Algert Sala ka qenë ditën e sotme i ftuar në “Live From Tirana”, për të folur më shumë për karrierën e tij dhe jo vetëm. Edhe pse tashmë Algerti ka disa vite në tregun muzikor, duke marrë pjesë në konkurse dhe në shtëpi diskografike të ndryshme, ai tashmë ka hapur kanalin e tij zyrtar në YouTube, ku ka publikuar edhe këngën “Asgjë”, që është bërë së fundmi pjesë e “The Top List”.
Si erdhi vendimi për të publikuar një këngë tënden?
Unë kam bërë disa këngë. Por jam natyrë shumë detajiste dhe pasi janë publikuar kam gjetur disa detaje që nuk më kanë pëlqyer dhe i kam fshirë nga YouTube. Por tani nuk do t’i fshij më. Më mirë t’i hedh gjërat ashtu siç duhen.
Çfarë do të thotë kjo këngë për ty dhe a është një histori personale e jotja?
Është shumë personale si këngë. Kur ti jep gjithçka dhe nuk merr asgjë, e mira është që të mos japësh asgjë dhe të vazhdosh jetën përpara… Duhet vuajtja tek artisti që të jesh kreativ.
Sa kushton sot të bësh një këngë?
Kushton ca. Por me miq të mirë rregullohen gjërat. Unë vetë përpiqem që të bëj ndere dhe të ndihmoj përtej limiteve. Kam bërë dhe këngë falas, por nuk është bërë e famshme. Ecja e këngës është diçka që nuk parashikohet, por nuk do të thotë që nuk është e bukur.
Me cilët nga artistët e njohur ke bashkëpunuar në projekte?
Për pjesën e muzikës nuk janë shumë emra. Kurse për post produksion kam punuar me goxha, me më të mirët, Xhensila, Ronela, Elgiti… Janë të ndryshëm si natyra. Xhensila është shumë detajiste, por t’i lehtëson gjërat sepse e di se çfarë do. Ronela të lë hapësirë të bësh gjëra. Me Elgitin është puna më e thjeshtë e mundshme, sa e mbyllim si proces, vjen dhe e shikon dhe thotë: është ‘OK’ dhe e nxjerrim.
Cilat janë perspektivat e tua për të ardhmen, a do të fokusohesh tek të publikuarit këngë të tuat?
Është një fazë që duhet të përkushtohem më shumë tek vetja. Por edhe tek puna që bëj. Më pëlqen që ta shfrytëzoj veten time 100%.
Çfarë kemi së shpejti të re nga ti?
Po punoj shumë dhe së shpejti do të nxjerr këngën e radhës. Baladat dhe vuajtjet janë pjesë e imja, por do të jetë një zhaner tjetër dhe do të jetë bashkëpunim me një vajzë…