I ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio, ka qenë artisti i njohur, Dario Zela. Ai ka zbuluar më shumë detaje nga kënga e tij e re “Ajo” e cila është pjesë e “The Top List” dhe gjithashtu ka treguar më shumë edhe për fillimet e karrierës dhe rrugëtimin e tij deri më tani në botën e muzikës dhe teatrit.
Pas një shkëputje nga muzika si ndihet Dario tani që është rikthyer?
Në fakt kisha kohë që isha shkëputur nga sytë e publikut jo nga muzika sepse kanë qenë disa vite punë dhe përkushtim i tepërt tek mësimi i mënyrës se si funksionojnë gjërat në këtë treg edhe të mësoj që të bëj krijimet e mia. Tani besoj që ka ardhur koha që të gjithë ato projektet që janë aty të dalin nga folder-at.
Sa i përket këngëve të tij artisti u shpreh se:
Unë publikova një këngë dhjetorin e shkuar, ajo ka qenë krijimi im i parë fare e mbaj mend para 3 vitesh dhe prandaj doja ta hidhja më shumë. Të treja këngët që kam publikuar janë në fakt këngë të vjetra që i kam krijuar.
Dario gjithashtu bëri edhe ‘një udhëtim në kohë’ duke treguar në radio se si ka nisur e gjithë karriera e tij në fushën e muzikës.
Unë kam filluar që të merrem me muzikë që në klasën e parë ose të dytë. Kam nisur me kursin e violinës, ajo ka qenë instrumenti i parë që më lidhi mua me muzikën edhe akoma kam një dashuri shumë të madhe për violinën. Motra ime merrej me muzikë dhe kur bëri një koncert recital kam qenë aty prezent gjatë përgatitjeve, në atë kohë vocal coach i tha që ta provojë edhe Dario. Ja ku jemi sot. Pas asaj morëm iniciativën që të shkonim tek “Gjeniu” dhe nga aty pastaj fillova që njerëzit të më njihnin pak më shumë. Edhe pse isha shumë i vogël atëherë nuk e dija se çfarë po ndodhte por tani që e kujtoj është ndjesi shumë e bukur. Unë akoma kam qejf kur njerëzit më njohin në rrugë.
Nga “Gjeniu” më pas kam shkuar në Itali, kam bërë disa audicione për të marrë pjesë tek “Io Canto” një format ekzaktësisht si “Gjeniu”. Fitova të drejtën për t’u futur aty por për shkak të mungesës së fondeve nuk e di unë fitova më pas disa orë leksione me një profesor në Itali që ishte shumë i mirë, Andrea Bianchino. Më dha disa këshilla që nuk i dija më parë. Ishte profesionist.
Dario tregoi se këngën e tij të parë e ka publikuar në vitin 2016 në bashkëpunim me Elgit Dodën.
Ndjesi shumë e bukur ta shohësh veten midis shumë artistëve aty të jep një lloj ndjesie sikur po të plotësohet një ëndërr që e ke pasur që i vogël.
Kur u pyet në lidhje me karrierën e tij dhe arritjet përgjatë viteve çfarë do ta bënte atë si artist 100% të kompletuar ai u përgjigj duke thënë:
Nëse do të kisha 10 albume të suksesshne mbase kjo mund të ishte kulmi fare. Aq mendoj se do ta definonin një artist të madh.
Ndër të tjera ai shtoi se:
Albumi është CV-ja e një artisti. Një artist i cili nuk ka album në vitin 2024 unë nuk mendoj që quhet artist. Nëse nuk e ke prezantuar veten tek publiku se çfarë di të bësh.