E ftuar sot në “Live From Tirana” në Top Albania Radio ishte këngëtarja Albora, jeta e së cilës ndahet midis Shqipërisë dhe Italisë. Ajo bën pjesë tek këngëtaret e reja, e cila deri tani ka publikuar vetëm 5 këngë, por bashkëpunimet e saj janë bërë me kompozitorë dhe këngëtarë mjaft të suksesshëm si Stresi dhe Irkenc Hyka. Artisja na tregoi më shumë rreth realizimit të projekteve të saj dhe marrëdhënies që ruan me artistët e tjerë.
Si lindi kënga “Hala”?
Ka lindur komplet rastësisht dhe ishte e paplanifikuar nga ana ime. Në momentin kur kam dëgjuar vijën melodike dhe tekstin ka qenë çdo gjë super për mua. Më ka pëlqyer që në impaktin e pare dhe e dija se ishte e duhura.
Ke kontaktuar ti apo të kanë kontaktuar producentët?
Më kanë kontaktuar në Instagram faqja “Big Deal Records” dhe e dija që do ishte një gjë shumë e mirë të bashkëpunoja me ata.
Si e ka pritur publiku deri tani projektin?
‘Feedback’-u ka qenë shumë pozitiv. Kënga u bë edhe pjesë e “The Top List” të cilën nuk e prisja aspak. Por nga e publikut me thënë të drejtën prisja edhe më shumë.
A mendon se ka të bëjë edhe periudha e publikimit në sezonin e vjeshtës?
Ndoshta ka të bëjë edhe kjo, por unë mendoj se njerëzit janë te fokusuar te emrat e mëdhenj të muzikës dhe i lënë pas dore artistët e rinj.
Si funksionon kontakti me producentët dhe me industrinë?
Mua në shumicën e rasteve më kanë kontaktuar, nuk më është dashur të kontaktoj vetë, me përjashtim të këngës së parë që i gjeta unë ata.
Çfarë është suksesi për ty?
Suksesi është të arrish të bësh atë që ti do, duke ndryshuar njerëzit për mirë dhe duke sjellë një frymë të re tek ata.
Sa lehtë mund të ecësh përpara sot në rrjet vetëm nga talenti?
Tregu në Itali është më ndryshe. Atje është më e lehtë nëse ke talent. Këtu të duhet njohje dhe njerëzit i japin edhe shumë rëndësi pamjes së jashtme.
Sa në siklet je ndjerë ti me paraqitjet e tua skenike deri sot? A ka qenë ai imazhi që ke dashur të tregosh?
Në atë kohë më dukej imazhi i duhur, por sa herë të bësh një klip duhet të mendosh edhe paragjykimet e njerëzve. Pastaj edhe bashkëshorti im nuk dëshiron që të ekspozohem shumë. Prandaj nuk është se kam treguar shumë nga vetja ime.
Cila këngë e jotja nuk të pëlqen fare ose do të doje ta ndryshoje?
Kënga e parë. Muzika është shumë e mirë por këndimin mund ta kisha bërë më mirë dhe mund të isha veshur ndryshe. Ajo është e vetmja këngë që nuk e dëgjoj kurrë.
Si erdhi bashkëpunimi yt me Stresin?
Bashkëpunimi erdhi nëpërmjet Irkencit. Në fakt ka qenë diçka shumë e shpejtë dhe e paplanifikuar fare. Ne ai prezantuam Stresit materialin dhe ai pranoi. Më pas çdo gjë erdhi natyrshëm.
Çfarë do të doje ti të paraqisje si këngë të radhës?
Ajo që kam unë në mendje është diçka komplet ndryshe nga ajo që kemi parë deri sot.